
Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, ka përshëndetur diplomimin e gjeneratës së parë të specialistëve në fushën e Mjekësisë Familjare pas përfundimit të studimeve specialistike në Universitetin e Tetovës.
Sali, përmes një njoftimi, rikujtoi se ky proces kishte nisur disa vite më parë, gjatë kohës kur ai shërbente si Ministër i Shëndetësisë, me nënshkrimin e 8 specializimeve në fusha të ndryshme në kuadër të Universitetit të Tetovës.
Ai tha se rruga drejt realizimit të këtij projekti ishte shoqëruar me shumë sfida dhe pengesa, por besimi në forcimin e arsimit të lartë në gjuhën shqipe kishte qenë motiv për të vazhduar përpara.
“Ka disa projekte që nuk maten vetëm me vendime apo nënshkrime, por me rezultatet që lënë pas”, deklaroi Sali, duke theksuar se sot ky vizion po konkretizohet me profesionistë të rinj në fushën e mjekësisë.
Sipas tij, momenti i sotëm përfaqëson një arritje jo vetëm institucionale, por edhe personale.
“Për mua, ky nuk është vetëm një sukses institucional, por edhe një kënaqësi personale. Të shohësh një ide të shndërrohet në realitet dhe të japë profesionistë të rinj në shërbim të qytetarëve është shpërblimi më i madh”, u shpreh Sali.
Ai uroi specialistët e rinj, duke theksuar se titulli i marrë është rezultat i përkushtimit dhe sakrificës së tyre, por njëkohësisht edhe përgjegjësi për t’u shërbyer pacientëve me profesionalizëm, etikë dhe humanizëm.
“Titulli që merrni sot është dëshmi e përkushtimit dhe sakrificës suaj, por edhe një obligim i madh për t’i shërbyer me profesionalizëm, etikë dhe humanizëm çdo pacienti”, theksoi zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali.



