
Shuma e mëditjeve, që arrin pak më shumë se 10 euro, si dhe kërkesat e pazgjidhura nga Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli Gjyqësor, janë arsyeja e protestës paqësore të gjyqtarëve-porotë në Gjykatën Themelore Penale në Shkup. Për shkak të protestës, një pjesë e seancave gjyqësore do të shtyhen. Nga Gjykata Penale shprehën mbështetje për kolegët porotë.
“Gjyqtarët-porotë pranë Gjykatës Themelore Penale Shkup, duke filluar nga 7 korriku 2026, do të nisin një protestë paqësore dhe nuk do të marrin pjesë në një pjesë të seancave gjyqësore, për shkak të problemit shumëvjeçar me mëditjet dhe kërkesave të pazgjidhura nga Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli Gjyqësor. Sa u përket kërkesave të tyre, si gjykatë konsiderojmë se roli i gjyqtarit-porotë është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe se përkushtimi, përgjegjësia dhe kontributi i tyre janë të domosdoshëm për zhvillimin e drejtë dhe ligjor të një numri të madh procedurash gjyqësore. Pa pjesëmarrjen e tyre, një numër i konsiderueshëm gjykimesh nuk mund të zhvillohen normalisht”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Penale.
Porotët kanë marrë mbështetje edhe nga Këshilli Gjyqësor. Nga ky institucion thonë se Këshilli ka paralajmëruar disa herë për problemin me të cilin përballen ata, duke shtuar se për këtë janë njoftuar edhe Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë.
“Këshilli Gjyqësor iu drejtua edhe Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë për të theksuar se situata është alarmante dhe se mëditjet janë shumë të ulëta”, deklaruan nga Këshilli.
Televizioni 24 kërkoi qëndrim edhe nga Ministria e Drejtësisë lidhur me kërkesat e gjyqtarëve-porotë, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk kishte marrë përgjigje.
Ndërkohë, ende nuk ka informacione se sa seanca do të shtyhen, por nga Shërbimi për Marrëdhënie me Publikun i Gjykatës bëjnë të ditur se pa pengesa do të zhvillohen seancat që udhëhiqen nga një gjyqtar i vetëm, pa pjesëmarrjen e gjyqtarëve-porotë.



