
Gjatë muajve të verës, kur temperaturat janë të larta, mbeturinat e shpërndara në hapësira publike shndërrohen në burim të erërave të pakëndshme, rrisin rrezikun për përhapjen e infeksioneve dhe dëmtojnë rëndë mjedisin.
Për çdo ditë në rrugët e Gostivarit përfundojnë rreth 70 ton mbeturina apo mbi 25.000 ton mbeturina në vit, të cilat Ndërmarrja Publike Komunale “Komunalec” duhet t’i grumbullojë nga qyteti dhe t’i dërgojë në deponinë Rusino. Kështu bën të ditur drejtoresha e kësaj ndërmarrje Arta Hasani e cila thekson se përderisa sasia e mbeturinave vazhdon të rritet Ndërmarrja Publike Komunale “Komunalec”, po përballet me probleme serioze që cenojnë efikasitetin në punë siç janë automjetet e amortizuara, prishje të shpeshta të tyre dhe mungesë fondesh për t’i zëvendësuar ato. Pavarësisht këtyre vështirësive, shton ajo, ekipet vazhdojnë të mbledhin mbeturinat disa herë në ditë për të shmangur grumbullimin e tyre në qytet. “Brenda një dite, ndërmarrja grumbullon nga 55 deri në 60 ton mbeturina organike dhe nga pesë deri në 10 ton mbeturina voluminoze. Sa i përket automjeteve, mund të them se rreth 70 përqind të tyre të janë të amortizuara. Çdo ditë kemi prishje të tyre dhe kemi mungesë të automjeteve, pra nuk dalin mjaftueshëm në terren sa ka nevojë. Me këto kapacitete që i kemi, arrijmë që deri në tre herë në ditë të dalim në tërren për të grumbulluar mbeturinat por e tërë kjo kërkon shumë mund dhe kohë”, deklaroi Arta Hasani drejtoreshë e Ndërmarrjes Publike Komunale “Komunalec” në Gostivar.
Përveç mungesës së automjeteve, NPK “Komunalec” përballet edhe me një problem tjetër financiar . Drejtoresha Hasani tha se niveli i ulët i pagesave nga qytetarët e bën të pamundur investimin në automjete dhe pajisje të reja, duke u bërë apel qytetarëve që t’i shlyejnë obligimet në kohë, në mënyrë që ndërmarrja të mund të ofrojë shërbime më cilësore dhe më efikase. “Për shkak të pagesës të ulët, ndërmarrja nuk ka mundësi që të furnizohet me automjete të reja që janë kryesore për mbledhjen dhe transportimin e mbeturinave prandaj, do i kisha lutur qytetarët që, edhe ata për të pasur shërbime më të mira komunale, t’i realizojnë pagesat në kohë dhe siç duhet”, thotë drejtoresha Hasani.
Një problem tjetër sipas saj që po merr përmasa shqetësuese është edhe hedhja e mbeturinave jashtë kontejnerëve ose në lokacione të paautorizuara. Kjo u merr ekipeve në terren kohë shtesë për pastrim, ndërsa njëkohësisht ndikon në uljen e efikasitetit të shërbimeve. Gjatë muajve të verës, kur temperaturat janë të larta, mbeturinat e shpërndara në hapësira publike shndërrohen në burim të erërave të pakëndshme, rrisin rrezikun për përhapjen e infeksioneve dhe dëmtojnë rëndë mjedisin. Për këtë arsye, ndërmarrja kërkon nga qytetarët më shumë përgjegjësi në hedhjen e mbeturinave, si një hap i domosdoshëm për ruajtjen e pastërtisë dhe shëndetit publik.



