
Folarin Balogun ka reaguar për herë të parë pas polemikave të mëdha që shkaktoi vendimi i FIFA-s për pezullimin e dënimit të tij, i cili i mundësoi të luante me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në ndeshjen e 1/8-ave të Botëorit kundër Belgjikës.
Sulmuesi amerikan ishte ndëshkuar me karton të kuq në sfidën ndaj Bosnjë e Hercegovinës dhe, sipas rregullores, duhej të mungonte një ndeshje.
Megjithatë, FIFA aktivizoi nenin 27 të Kodit Disiplinor, duke pezulluar zbatimin e sanksionit dhe duke i hapur rrugën Balogunit të ishte në fushë ndaj Belgjikës.
Vendimi shkaktoi reagime të forta. Federata Belge e Futbollit u shpreh e habitur, ndërsa UEFA e kritikoi ashpër FIFA-n, duke e cilësuar vendimin si “të pakuptueshëm dhe të pajustifikueshëm”.
Pavarësisht pranisë së Balogunit, SHBA-ja u eliminua nga Botërori pas humbjes së thellë 4-1 ndaj Belgjikës.
Dy gola u shënuan nga Charles De Ketelaere, ndërsa në listën e realizuesve u regjistruan edhe Hans Vanaken dhe Romelu Lukaku.
Pas ndeshjes, Balogun komentoi për herë të parë situatën që kishte dominuar diskutimet në ditët e fundit.
“Kur një vendim i tillë ndryshohet, sigurisht që do të ketë polemika. Për mua nuk ishte diçka që më befasoi shumë. Si lojtar, detyra ime është të dal në fushë dhe të fokusohem te puna ime”, deklaroi sulmuesi.



