LajmeSport

Scaloni: Nuk do ta ndryshojmë lojën për Salah, Messi është gati të luajë

Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, ka deklaruar se kampionët e botës do ta përballojnë sfidën ndaj Egjiptit në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës 2026 me të njëjtën filozofi loje që i ka karakterizuar deri tani, pavarësisht pranisë së yjeve egjiptianë Mohamed Salah dhe Omar Marmoush.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes, Scaloni theksoi se skuadra e tij ka aftësinë të përshtatet gjatë lojës, por nuk do të ndryshojë identitetin për shkak të kundërshtarëve.

“Ne kemi fleksibilitet për të luajtur në mënyra të ndryshme gjatë së njëjtës ndeshje. Formacioni me të cilin do të nisim do të jetë pothuajse i njëjtë me atë që keni parë në ndeshjet e mëparshme. Sigurisht që duhet të jemi shumë të kujdesshëm ndaj futbollistëve si Mohamed Salah dhe Omar Marmoush, por nuk do ta ndryshojmë planin tonë bazë të lojës për shkak të tyre”, u shpreh ai.

Trajneri argjentinas shtoi se, nëse rrjedha e takimit e kërkon, ekipi është i gatshëm të bëjë ndryshime taktike.

“Nëse ndeshja kërkon përshtatje, e kemi bërë edhe më parë dhe mund ta bëjmë sërish pa asnjë problem”, deklaroi Scaloni.

Ai komentoi gjithashtu eliminimin surprizë të Brazilit nga Norvegjia, duke theksuar se futbolli vendoset shpesh nga detajet.

“Nëse Endrick do të kishte shënuar kur rezultati ishte ende 0-0, sot do të flisnim për diçka krejt tjetër. Ky është realiteti i futbollit”, tha ai.

Në fund, Scaloni konfirmoi se kapiteni Lionel Messi është plotësisht i gatshëm për të qenë titullar ndaj Egjiptit.

“Messi është në gjendje të mirë. Ai nuk është ankuar për asgjë, edhe pse në ndeshjen e fundit luajti plot 120 minuta në moshën 39-vjeçare. Nuk më ka thënë se ka ndonjë shqetësim, ndaj do të luajë normalisht “, përfundoi trajneri i Argjentinës.

Related Articles

Back to top button
Close
Close