
Anastasiia Berezovska, gruaja e dyshuar si autore e shpërthimit me bombë që tronditi Monakon në fund të qershorit, është gjetur e vdekur në Kiev, sipas raportimeve të mediave ukrainase.
Sipas burimeve të cituara nga Pravda, 39-vjeçarja u gjet pa shenja jete rreth orës 23:00 të së hënës dhe dyshohet se është qëlluar me armë zjarri.
Lidhur me vrasjen e saj, autoritetet ukrainase kanë arrestuar dy persona, një oficer aktual të Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës dhe një ish-zyrtar të forcave të rendit.
Berezovska kërkohej nga Interpol për shpërthimin e ndodhur më 29 qershor në Monako, ku objektiv i atentatit ishte biznesmeni ukrainas Vadim Ermolaev, 58 vjeç.
Sipas prokurorisë, ajo dyshohet se kishte vendosur një çantë shpine të mbushur me eksploziv pranë apartamentit luksoz ku qëndronte Ermolaev, ndërsa ishte e maskuar si burrë.
Nga shpërthimi, Ermolaev mbeti në gjendje kritike, ndërsa Anna Nasobina, 46 vjeç, e cila dyshohet të ishte partnerja e tij, u plagos rëndë dhe iu amputuan të dyja këmbët. Në shënjestër të sulmit ishte edhe djali i saj 13-vjeçar.
Pamjet e kamerave të sigurisë kanë fiksuar një person, që besohet të jetë Berezovska, ulur në një stol vetëm pak çaste para shpërthimit.



