
Rivaliteti Turqi-Izrael, ngre krye sërish: Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka kërkuar presidentit amerikan Donald Trump të mos e miratojë shitjen e sistemeve të armatimit që do të forconin kapacitetet ajrore të Turqisë, duke shprehur shqetësim mbi retorikën e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan ndaj shtetit hebre.
Në qendër të diskutimeve mes SHBA-së dhe Turqisë është një marrëveshje prej rreth 700 milionë dollarësh për furnizimin me motorë të rinj për avionët luftarakë turq, si edhe mundësia e rikthimit të Ankarasë në programin e avionëve F-35. Turqia u përjashtua nga ky program në vitin 2019, pasi bleu sistemin rus të mbrojtjes ajrore S-400, të cilin Uashingtoni e konsideron të papajtueshëm me sigurinë e teknologjisë së F-35.
Së fundmi, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance bëri të ditur se Pentagoni po shqyrton mundësinë e një zgjidhjeje që do t’i lejonte Turqisë të blinte avionët e super avancuar ushtarakë, pavarësisht zotërimit të sistemit S-400. Në një intervistë për Fox Neës, Netanyahu argumentoi se furnizimi i Turqisë me F-35 ose me motorë të rinj për avionët luftarakë do të ndryshonte ekuilibrin ushtarak në Lindjen e Mesme, duke theksuar se epërsia ajrore e Izraelit është një element kyç i sigurisë rajonale.
Ndërkohë, ambasadori izraelit në SHBA, Yechiel Leiter, njoftoi se raundi i ardhshëm i bisedimeve mes Izraelit dhe Libanit do të zhvillohet më 15 dhe 16 korrik në Romë, në nivel ambasadorësh. Ai bëri të ditur gjithashtu se presidenti i Libanit, Joseph Aoun, pritet të zhvillojë një takim me presidentin amerikan Donald Trump më 21 korrik.
Këto zhvillime vijnë mes frikës për një ripërtëritje të tensioneve në rajon, pas njoftimit se një anije cisternë nafte është goditur nga një “predhë me origjinë të panjohur” ndërsa lundronte drejt jugut pranë brigjeve të Omanit, afër Ngushticës së Hormuzit. Si pasojë e incidentit shpërtheu një zjarr në bordin e anijes, por nuk raportohet për viktima.



