‘Deep Tech’ në Ballkan, Serbia dhe Maqedonia më të avancuarat, dobët Shqipëria

Vendet e Ballkanit Perëndimor janë duke bërë para me ndërthurjen e teknologjive të avancuara me praktikat e gjelbra industriale, por disa janë më të avancuara në këtë proces dhe disa më pak thotë një studim i fundit i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal “Deep Tech and Green Manufacturing in the Western Balkans”.
Serbia, si ekonomia më e madhe, paraqitet si lideri rajonal, me sistemin më të avancuar të financimit dhe një bazë të fortë në robotikë, inteligjencë artificiale (IA) dhe mikroelektronikë, të mbështetur nga një rrjet i gjerë parqesh shkencore dhe fondesh publike.
Studimi rajonal vë ne dukje se, Maqedonia e Veriut dallon për mekanizmat e saj të fuqishëm të mbështetjes së inovacionit, si fondi INOVA, që ka synim sektorët e IA-së, automatizimit dhe bujqësisë inteligjente.
Bosnja dhe Hercegovina, pavarësisht mungesës së një fondi qendror unik, tregon kapacitete premtuese në automatizimin industrial, teknologjitë mjekësore dhe robotikë, duke u mbështetur kryesisht në një seri iniciativash donatore dhe investimesh në nivel entitetesh.
Nga ana tjetër, Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova shfaqin ekosisteme më të vogla, por me potencial rritës përmes iniciativave në sektorin ICT dhe një angazhimi në rritje për tranzicionin e gjelbër.
Shqipëria po zhvillon infrastrukturën e saj të start-upeve me mbështetje ndërkombëtare, ndërsa Mali i Zi po shfrytëzon Parqet Shkencore dhe Teknologjike për të nxitur inovacionin ndërsektorial.
Kosova ka një skenë dinamike start-upesh që po zgjerohen drejt zgjidhjeve të gjelbra dhe rrjeteve të zgjuara energjetike.
Një prirje e përbashkët në të gjithë rajonin është tranzicioni i dyfishtë, digjital dhe i gjelbër ku teknologjitë si iA, ioT (Internet of Things) dhe robotika po përdoren për të rritur efiçencën energjetike dhe për të zhvilluar ekonominë rrethore.
RCC vë në dukje se pavarësisht këtyre zhvillimeve, rajoni përballet me sfida strukturore si investimet e ulëta në kërkim dhe shkencë, mungesa e kapitalit të sipërmarrjes për fazat e avancuara dhe largimi i talenteve nga emigrimi i të rinjve.
Për të kthyer këtë potencial në konkurrueshmëri, raporti thekson domosdoshmërinë e mbylljes së boshllëqeve financiare, forcimit të lidhjeve midis akademisë dhe industrisë, si dhe koordinimit më të ngushtë rajonal nën kuadrin e prioriteteve të Bashkimit Evropian, duke u fokusuar në fusha si materialet e avancuara, energjia e rinovueshme dhe dizajni ekologjik i produkteve./Monitor



