LajmeMaqedoniTopLajm

Siljanovska-Davkova merr pjesë në Samitin e NATO-s në Ankara

Në kryeqytetin turk, Ankara, sot nis Samiti dyditor i NATO-s, ku do të marrë pjesë edhe presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova njofton agjencia e lajmeve INA.

Të mërkurën, ajo do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Atlantikut të Veriut në nivel të krerëve të shteteve dhe qeverive, e cila do të mbahet në Kompleksin Presidencial “Beştepe”. Presidentja do të udhëheqë delegacionin maqedonas, ku bëjnë pjesë ministri i Mbrojtjes, Vlado Misajllovski, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, si dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneralmajor Sashko Lafçiski.

Në kuadër të samitit, Siljanovska-Davkova do të zhvillojë edhe takime dypalëshe me liderë dhe përfaqësues të vendeve aleate.

Aktivitetet nisin sonte me një darkë zyrtare të organizuar nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, për nder të krerëve të shteteve dhe qeverive pjesëmarrëse në samit.

Samiti mbledh liderët e 32 vendeve anëtare të NATO-s, mes tyre presidentin amerikan Donald Trump, presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministrin britanik Keir Starmer, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministren italiane Giorgia Meloni, kryeministrin kanadez Mark Carney, presidentin finlandez Alexander Stubb, presidentin sllovak Peter Pellegrini, kryeministrin shqiptar Edi Rama, presidentin bullgar Rumen Radev dhe kryeministrin malazez Milojko Spajić.

Në samit marrin pjesë edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, si dhe presidenti i Këshillit Evropian, António Costa.

Përveç 32 krerëve të shteteve dhe qeverive, në Ankara ndodhen edhe rreth 100 ministra, diplomatë të lartë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, si dhe mijëra gazetarë e pjesëmarrës të tjerë.

Diskutimet do të fokusohen në rritjen e investimeve në mbrojtje, forcimin e kapaciteteve parandaluese dhe mbrojtëse të Aleancës, si dhe objektivat strategjike të NATO-s për vitet e ardhshme.

Liderët do të shqyrtojnë edhe progresin e arritur që nga samiti i vitit të kaluar në Hagë dhe do të diskutojnë për sfidat e sigurisë në rajonin euroatlantik, luftën në Ukrainë dhe situatën e sigurisë në krahun jugor të Aleancës.

Në përfundim të samitit pritet të miratohet deklarata përfundimtare, e cila do të riafirmojë angazhimin e aleatëve ndaj mbrojtjes kolektive sipas Nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut.

Gjithashtu, pritet të shpallet një paketë e re ndihme për Ukrainën me vlerë prej 70 miliardë eurosh për këtë vit dhe 70 miliardë euro të tjera për vitin e ardhshëm, ndërsa në margjinat e samitit do të mbahet edhe Forumi i Industrisë së Mbrojtjes së NATO-s, ku pritet të nënshkruhen marrëveshje me vlerë disa miliarda euro.

Related Articles

Back to top button
Close
Close