LajmeMaqedoni

Ministria e Bujqësisë: Fermerët nuk preken nga procedurat në sektorin e qumështit

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) ka deklaruar se respekton të drejtën e fermerëve për të protestuar dhe e kupton shqetësimin e tyre lidhur me ndërprerjen e grumbullimit të qumështit dhe uljen e çmimit të tij, duke theksuar se fermerët nuk janë objekt i procedurave administrative që po zhvillohen në sektorin e qumështit.

Sipas ministrisë, procedurat kanë të bëjnë ekskluzivisht me respektimin e detyrimeve ligjore nga operatorët e biznesit me ushqim dhe nuk cenojnë punën apo kontributin e fermerëve.

MBPZHR njofton se është duke bashkëpunuar me institucionet përgjegjëse dhe përfaqësuesit e sektorit për të siguruar vazhdimin e grumbullimit të qumështit të freskët dhe për të shmangur dëmet ekonomike për fermerët si pasojë e veprimeve apo vendimeve të operatorëve ekonomikë.

Ministria thekson se masat e ndërmarra nuk janë kundër industrisë së përpunimit, por synojnë forcimin e sigurisë ushqimore, mbrojtjen e konsumatorëve dhe krijimin e kushteve të barabarta për të gjithë operatorët në treg.

Në njoftimin e MBPZHR pas takimit me fermerët, thuhet se respektimi i standardeve të sigurisë ushqimore, përfshirë cilësinë e produkteve, gjurmueshmërinë e lëndëve të para, deklarimin e saktë të përbërjes dhe etiketimin transparent, është bazë për besimin e konsumatorëve dhe konkurrueshmërinë e prodhimit vendor.

Ministria bën të ditur se ka forcuar kontrollet zyrtare në kufi dhe në treg, ka intensifikuar analizat laboratorike dhe ka vendosur raportimin e detyrueshëm për lëndët e para që përdoren në sektorin e qumështit. Sipas saj, këto masa zbatohen njësoj për të gjithë operatorët dhe synojnë që produktet të jenë në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Në fund, MBPZHR rithekson se procedurat administrative do të vazhdojnë në bazë të ligjit dhe provave, pa u ndikuar nga presionet, ndërsa u bën thirrje operatorëve të sektorit të respektojnë detyrimet ligjore dhe të bashkëpunojnë me institucionet për një zgjidhje që mbron fermerët, konsumatorët, industrinë përpunuese dhe prodhimin vendor.

Sot, gjatë ditës fermerët kanë protestuar para Ministrisë së Bujqësisë duke kërkuar që të nis grumbullimi i qumështit, pasi prej katër ditësh është ndaluar përkohësisht prodhimi i tij.

Kjo protestë vjen pas mbylljes së përkohshme të fabrikës “Vita” në Istog, të enjten për shkak të një aksioni inspektues nga AUV dhe Ministria e Bujqësisë.

Përfaqësuesit e qumështores “Vita”, kanë deklaruar ditë parë se, vendimi për pezullimin e përkohshëm të punës është marrë nga vetë kompania dhe jo nga institucionet, ndërsa kanë kërkuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AVUK) që t’i publikojë sa më shpejt rezultatet e analizave të mostrave të marra gjatë kontrollit të fundit.

Komisioni për Monitorim dhe Ndjekje të Punës së Inspektorëve në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë ka konstatuar të shtunën se fabrika e qumështit “Vita” ka shkelur vendimin e ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja të 10 majit 2026, me të cilin ndalohet përdorimi i qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe përbërësve të tjerë në fabrikat për përpunimin e qumështit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close