LajmeRajon

Lladrovci: Amerika është krijuesja e lirisë së Kosovës, nderimi për të vazhdon çdo ditë të vitit

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, në prag të 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës – ka shprehur mirënjohjen e tij për rolin historik të SHBA-së në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke theksuar se nderimi për aleatin kryesor të vendit nuk duhet të kufizohet vetëm në një ditë festive.

Në një reagim publik, Lladrovci tha se për qytetarët e Kosovës, SHBA-ja nuk përfaqëson vetëm një shtet aleat, por vetë lirinë.

“Ta ndjesh Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), në shtetin më proamerikan në botë, nuk është aq e thjeshtë. Nuk është e thjeshtë, sepse qytetarët e Kosovës, te Amerika, nuk e shohin vetëm shtetin aleat, por vet krijuesin e lirisë, në Kosovë dhe në botë. Sigurisht, ka shtete e mendësi të caktuara, të cilat nuk e mendojnë kështu, ndërsa ne, shtetasit e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi, nuk kemi asnjë dyshim se ShBA është vet liria”, ka shkruar ai.

Lladrovci tha se disa gjenerata të reja nuk e përjetojnë njësoj rëndësinë e SHBA-së, ndërsa shtoi se mirënjohja ndaj aleatit historik nuk duhet të konsiderohet servilizëm.

“Mbase, te disa të rinj që dalin në media apo pjesëtarë të gjeneratave të reja nuk ua ngroh shumë zemrën sa duhet kur thuhet ‘Shtetet e Bashkuara të Amerikës’, ndërsa lavdërimi i përjetshëm për aleatin tonë historik nga ata që e përjetuan robërinë dhe lirinë, disave ju duket servilizëm. Për më keq, mirënjohja dhe falënderimi për aleatin tonë historik, për dorën e kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës, ju duket e fryrë”, u shpreh ai.

Kryetari i Drenasit rikujtoi edhe momentet historike që, sipas tij, dëshmojnë miqësinë e hershme ndërmjet shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Kur e mendoj se si u zhvillua historia jonë, kronologjia e një marrëdhënieje, nga shekulli i 19-të, veçanërisht nga Presidenti Wilson, Lufta e Dytë Botërore, vlerësimet për shqiptarët në kohën e ‘mbledhjes së armëve’, Kushtetuta e vitit 1974, ardhja e kongresmenëve në Prishtinë më 1990, ngritja e flamurit te ‘Zyra e Informimit’ në Prishtinë e deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është tregim i një miqësie sa krenare për neve, aq edhe historike”, tha Lladrovci.

Ai theksoi se respekti për SHBA-në duhet të jetë i përhershëm dhe jo vetëm me rastin e festës së 4 Korrikut.

“Katër Korriku është nesër dhe pastaj vjen Pesë Korriku e vijon deri në përvjetorin tjetër, por mua, besoj edhe të tjerëve si unë që ishim në gjendje të japim çdo gjë për lirinë e Kosovës, nderimi për Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës vazhdon çdo ditë, çdo ditë të vitit”, shtoi Lladrovci.

Related Articles

Back to top button
Close
Close