
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj emërimit të Ivan Stoilkoviqit në postin e ministrit të Vetëqeverisjes Lokale, duke vlerësuar se ky veprim nuk paraqet një ndryshim të zakonshëm kadrovik, por një sinjal politik për, siç u tha, relativizimin dhe rishkrimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Në një konferencë për media, anëtari i Kryesisë Qendrore të BDI-së, Faton Aliti, tha se pas zhvillimeve të dy viteve të fundit, emërimi i Stoilkoviqit në këtë dikaster duhet parë në kontekstin e, sipas tij, sulmeve të vazhdueshme ndaj shtyllave kryesore të Marrëveshjes së Ohrit.
Aliti rikujtoi se Stoilkoviq më parë ishte vendosur në krye të Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, institucion që, sipas tij, historikisht ka qenë i lidhur me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
“Kur Ivan Stoilkoviq u vendos në krye të Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, institucioni që historikisht lidhej me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, mesazhi ishte i qartë: Qeveria donte ta ulte Marrëveshjen e Ohrit nga marrëveshje paqësore shtetformuese dhe shqiptaro-maqedone në çështje teknike të ‘pakicave’. Ky ishte poshtërim simbolik. Por pas simbolikës erdhi veprimi. Gjuha shqipe u sulmua. Inspektorati u dobësua. Agjencia për Zbatimin e Gjuhës u godit. Balancuesi u shfuqizua. Përfaqësimi i drejtë u relativizua. Çdo ditë nga pak, çdo institucion nga pak, çdo ligj nga pak po ndërtohej një proces i heshtur i revizionizmit të Marrëveshjes së Ohrit”.
Sipas BDI-së, transferimi i Stoilkoviqit në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale nuk është rastësi, pasi pikërisht ky institucion administron një nga shtyllat themelore të Marrëveshjes së Ohrit – decentralizimin dhe organizimin territorial të vendit.
Aliti tha se debatet për uljen e numrit të komunave nga 80 në 50 nuk mund të paraqiten si reforma administrative, pasi, sipas tij, ato prekin drejtpërdrejt arkitekturën politike të ndërtuar pas konfliktit të vitit 2001.
“I njëjti Ivan Stoilkoviq dërgohet në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale. Jo rastësisht. Jo teknikisht. Jo administrativisht. Sepse tani në shënjestër është shtylla më e rëndësishme e Marrëveshjes së Ohrit pas gjuhës dhe përfaqësimit: decentralizimi dhe ndarja territoriale e vitit 2004. Ndarja territoriale nuk është një hartë komunash në letër. Është pjesë e arkitekturës së paqes. Është mekanizmi që e bëri shtetin më të drejtë, më funksional dhe më të barabartë. Është një nga themelet mbi të cilat u ndërtua bashkëjetesa pas vitit 2001”.
Ai theksoi se reduktimi i numrit të komunave, sipas BDI-së, do të nënkuptonte ndërhyrje në balancën politike, etnike dhe institucionale të vendit.
“Kur sot flitet për uljen e numrit të komunave nga 80 në 50, nuk flitet për racionalizim administrativ. Flitet për rihapje të një çështjeje të mbyllur me marrëveshje paqësore. Flitet për ndërhyrje në balancën politike, etnike dhe institucionale të shtetit. Dhe këtë projekt nuk mund ta udhëheqë një njeri që nuk e përfaqëson frymën e Ohrit, që nuk e ka mbrojtur Marrëveshjen e Ohrit dhe që politikisht është simbol i kundërt i saj”.
Në emër të BDI-së, Aliti i bëri thirrje Qeverisë që të mos hapë debat për ndryshimin e ndarjes territoriale, duke e cilësuar këtë si një “vijë të kuqe” për shqiptarët.
“Mos e hapni këtë temë. Mos e prekni ndarjen territoriale të vitit 2004. Mos luani me shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit. Mos e testoni durimin politik të shqiptarëve. Ashtu siç nuk do të lejojmë cenimin e gjuhës shqipe, nuk do të lejojmë as cenimin e decentralizimit. Ashtu siç nuk do të pranojmë kthim prapa në përfaqësim, nuk do të pranojmë as kthim prapa në vetëqeverisje lokale”.
Ai shtoi se Marrëveshja e Ohrit mbetet themeli kushtetues dhe politik i shtetit dhe se çdo ndërhyrje në parimet e saj do të prodhojë pasoja serioze politike.
“Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë e një qeverie. Nuk është pronë e një partie. Nuk është pronë e një ministri. Është themel i rendit kushtetues dhe politik të këtij shteti. Kush e prek Ohrit, prek paqen. Kush e prek decentralizimin, prek barazinë. Kush e prek ndarjen territoriale të vitit 2004, hap një konflikt politik që ky shtet nuk ka nevojë ta hapë”.
Në fund, Aliti kërkoi nga Qeveria që, në vend të ndryshimeve territoriale, të fokusohet në forcimin e komunave, rritjen e decentralizimit fiskal dhe luftën kundër korrupsionit, duke paralajmëruar se çdo tentativë për të ndryshuar ndarjen territoriale të vitit 2004 do të përballet me kundërshtim politik, institucional dhe qytetar.
“Shqiptarët nuk do të jenë spektatorë të këtij procesi. Çdo tentim për të prekur ndarjen territoriale të vitit 2004 do të hasë në kundërshtim të fuqishëm politik, institucional dhe qytetar. Marrëveshja e Ohrit është vijë e kuqe. Gjuha shqipe është vijë e kuqe. Përfaqësimi i drejtë është vijë e kuqe. Decentralizimi është vijë e kuqe. Ndarja territoriale e vitit 2004 është vijë e kuqe. Dhe kjo vijë nuk do të kalohet”.



