
Donald Trump ka bërë të ditur se, sipas tij, Irani ka rënë dakord për “pothuajse gjithçka që SHBA i nevojitet” në kuadër të negociatave që po zhvillohen mes dy vendeve.
Në një intervistë për CNBC, presidenti amerikan sqaroi se administrata e tij nuk synon më ndryshimin e regjimit në Iran, por ndalimin e zhvillimit të armëve bërthamore. “Unë nuk po kërkoj ndryshim regjimi. Irani nuk mund të ketë armë bërthamore”, deklaroi ai.
Ai u shpreh gjithashtu se Irani është “shuar plotësisht ushtarakisht”, megjithëse pranoi se vendi ende zotëron disa raketa, të cilat, sipas tij, mund të shkatërrohen.
Gjatë së njëjtës intervistë, Trump e përshkroi Iranin si “një fëmijë të llastuar” dhe si “ngacmuesin e Lindjes së Mesme”, duke shtuar se Teheranit do t’i duhet kohë për t’u përshtatur me trysninë e ushtruar nga SHBA.
Këto deklarata vijnë ndërsa në Katar kanë nisur bisedimet për një marrëveshje përfundimtare mes SHBA-së dhe Iranit. Raundi i ardhshëm i negociatave pritet të mbahet pas ceremonisë së varrimit të ish-udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.
Paralelisht, administrata Trump është vënë përballë kritikave për faktin se nuk arriti të parashikonte mbylljen e Ngushticës së Hormuzit nga Irani, një situatë që ndikoi në rritjen e çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare dhe rriti presionin për rikthimin në tryezën e negociatave.



