
Në një deklaratë për mediat jashtë ambienteve të Kuvendit, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar se Dritan Goxhaj është një person i paguar nga Irani.
Sipas Ballës, për këtë ekzistojnë prova dhe fakti se Goxhaj sulmon Shtetet e Bashkuara të Amerikës për llogari të Teheranit, provë e cila sipas tij duhet të administrohet urgjentisht nga autoritetet.
Ai nënvizoi se në asnjë vend tjetër nuk do të lejohej që persona të tillë të lëvizin lirshëm, duke kërkuar reagimin e menjëhershëm të institucioneve ligjzbatuese.
“Këtu ka persona të paguar në shërbim, p.sh. Dritan Goxhaj është person që paguhet nga Irani. Kemi prova dhe sigurisht fakti publik më i pakundërshtueshëm se ky person sulmon SHBA-në për hesap të Iranit është një provë që duhet administruar urgjentisht.
Të dalësh dhe të thuash në mes të studios televizive që këtu duhen vrarë udhëheqësit politikë me plumb ballit, më vjen keq që Prokuroria në këtë vend, me iniciativën e vet, nuk vepron me këta persona dhe në asnjë vend tjetër nuk do të kishte ndodhur që këta persona të livadhisnin, por ky është debat tjetër”, u shpreh Balla.



