
Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe nënkryetri i BDI-së Bujar Osmani, ka kundërshtuar pretendimet e VLEN-it se gjatë dy viteve të fundit janë punësuar rreth 2.500 shqiptarë në administratën shtetërore.
Në një reagim publik, Osmani tha se analiza e fundit preliminare e një qendre analitike tregon një pasqyrë krejtësisht tjetër.
“Sipas analizës së fundit preliminare të qendrës analitike, nga rreth 2.400 punësime të realizuara gjatë këtyre dy viteve, vetëm 178 kanë qenë shqiptarë”, ka shkruar Osmani, duke e shoqëruar reagimin me hashtagun #StopNormalizimitTëRrenës.
Pretendimi i VLEN-it se janë punësuar rreth 2.500 shqiptarë në administratën shtetërore ka nxitur debat të fortë politik. Përfaqësuesit e VLEN-it e paraqesin këtë shifër si një nga arritjet e tyre në qeverisje, ndërsa opozita, përkatësisht BDI, i kundërshton këto pretendime, duke i cilësuar si mashtrim publik.
Deri më tani nuk është publikuar një raport zyrtar që do të verifikonte përfundimisht shifrat e paraqitura nga palët, ndërsa debati mbi punësimet dhe përfaqësimin etnik në administratën shtetërore vazhdon të mbetet një nga temat kryesore të përplasjes politike.



