“Në Itali kanë çuar familja dhe miqtë, jo shteti”/ Rama i përgjigjet motrës së protestuesit: Iniciativën e mora unë, i kam uruar të shkuara para se të nisej

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për nisjen e protestuesit Erjon Vishkulli drejt Italisë, për një mjekim më të specializuar.

Me anë të një postimi në “X” ai i është përgjigjur motrës së Erjonit, e cila akuzoi se deklarata e Ramës ishte e rreme dhe se në Itali ka shuar me ndihmën e familjarëve dhe miqve.

“Falënderojmë personat që morën iniciativën për një ndërhyrje më të specializuar në Itali.

Dhe i bëj thirrje portaleve, mos ndani lajme pa bazë për shikime apo mashtrime e propaganda të Ramës për të dalë protagonistë i ngjarjes vetë dhe për ta kthyer çështjen në politikë duke deklaruar që ja dhënë urdhër për të mbuluar shpenzimet e operacioneve.

STOP FAKE NEWS!

E kanë çuar fëmija, miqtë dhe mbështetësit e familjes tonë dhe JO SHTETI. Shpërndani lajme të sakta”, shkruante motra e Erjonit.

Nga ana tjetër, Rama i është përgjigjur duke shkruar se ai dhe shteti ishin iniciatorët që Vishkulli të nisej drejt Italisë.

“Motra e djalit nga Elbasani paska postuar tekstin bashkëngjitur, prandaj me shumë keqardhje më duhet t’i rikthehem kësaj teme për këdo  që e lexon, shpërndan apo publikon postimin e saj.

Siç informova më parë, iniciativën për shërbimin e specializuar mjekësor të djalit në Itali nuk e kanë marrë “persona” po e kam marrë unë personalisht dhe vajta e tij në Romë me avion mjekësor, si edhe mbulimi i shpenzimeve janë mundësuar pikërisht nga SHTETI dhe nga askush tjetër! Madje i kam uruar të shkuara përpara se sa të nisej bashkë me të vëllanë nga salla VIP e aeroportit, prej ku nisem për jashtë edhe unë vetë, Presidenti i Republikës apo Kryetari i Kuvendit.

Aspak për protagonizëm, sepse protagonizmin këto ditë e kanë të gjithin dhunuesit dhe nxitësit e tyre, po për humanizëm, sepse kur pushon marrëzia e gurëve e molotovëve, edhe dhunuesit e lënduar janë qytetarë të këtij vendi që duhen ndihmuar, mjekuar, shëruar.

Të shkuara edhe njëherë”, shkruan Rama.