LajmeMaqedoniTopLajm

Ivan Stoilkoviq ministër i ri i pushtetit lokal?! Ja ndarjet tjera të ministrive

Formalizimi i marrëveshjes politike mes liderëve të partnerëve të koalicionit qeverisës pritet të bëhet sonte, pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së.

Sipas burimeve partiake për “360 Stepeni”, në kuadër të rikonstruimit të Qeverisë së kryeministrit Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE do të marrë drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Politikës Sociale, ndërsa koalicioni VLEN do të udhëheqë me Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive dhe Ministrinë e Kulturës. Ndërkohë, ZNAM do të marrë Ministrinë e Bujqësisë.

Në krye të Ministrisë së Shëndetësisë pritet të emërohet Sasho Klekovski, aktualisht drejtor i Fondit për Sigurim Shëndetësor. Vendin e tij në Fond pritet ta marrë Zlatko Perinski, ministri aktual i Vetëqeverisjes Lokale. Si pjesë e këtij riorganizimi, Ivan Stoilkoviq, zëvendëskryeministër dhe ministër për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, pritet të emërohet ministër i Vetëqeverisjes Lokale.

Në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë pritet të emërohet Gjoko Velkovski, i cili aktualisht ushtron detyrën e zëvendësministrit.

VLEN pritet të marrë edhe drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë, ku si kandidat për ministër përmendet profesori universitar Jeton Shasivari. Gjithashtu, VLEN do të udhëheqë edhe me Ministrinë e Kulturës, ku nga posti largohet Zoran Ljutkov, ndërsa Bekim Sali do të vazhdojë të mbetet ministër për Çështje Evropiane.

Nga ana tjetër, ZNAM, pasi humb Ministrinë e Drejtësisë, do të marrë Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave. Për ministër në këtë resor pritet të emërohet Borçe Serafimovski, aktualisht sekretar shtetëror në të njëjtën ministri.

Sipas burimeve, marrëveshja politike fillimisht do të miratohet nga organet partiake, më pas propozimi do t’i dorëzohet Kuvendit nga kryeministri dhe në fund do të votohet në seancë plenare.

Related Articles

Back to top button
Close
Close