Në një aksion të zhvilluar në Francë, autoritetet kanë sekuestruar 68 kilogramë kokainë, pas shkëmbimit të informacioneve operative mes policisë së Maqedonisë së Veriut dhe organeve franceze.
Droga u zbulua në një kamion në pikën e pagesës së autostradës në Fonten, të cilin e drejtonte shtetasi maqedonas M.F., 44 vjeç.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, aksioni u realizua falë informacioneve të siguruara nga njësia për tregti të paligjshme me drogë, të përcjella përmes sektorit për bashkëpunim ndërkombëtar policor dhe Europol-it te autoritetet franceze.
Nga MPB-ja theksojnë se kjo është operacioni i dytë i suksesshëm ndërkombëtar brenda një muaji. Në aksionin e mëparshëm, në bashkëpunim me policinë greke, u sekuestruan 324 kilogramë marihuanë.
Sipas ministrisë, këto rezultate dëshmojnë rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të paligjshëm të drogës.


