
Ndërkohë, edhe Njësia Territoriale Kundër Zjarrit në Tetovë ka dalë me një apel drejtuar pronarëve të objekteve industriale, afariste, depove dhe fabrikave.
Për shkak të temperaturave të larta dhe rrezikut nga përhapja e zjarreve në pyje, Institucioni Publik Parku Kombëtar Mali Sharr, me rekomandim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, ka vendosur ndalim të lëvizjes së paevidentuar në pyjet e territorit që administron. Nga ky institucion bëjnë të ditur se ndalesa do të jetë në fuqi nga 1 korriku deri më 31 gusht.
“Përjashtim nga kjo ndalesë kanë vetëm personat që banojnë ose kanë prona në Malin Sharr. Vizitorët mund të lëvizin në Parkun Kombëtar Mali Sharr vetëm pasi të kenë marrë konfirmimin elektronik që dërgohet pas plotësimit të formularit online. Regjistrimi bëhet përmes formularit elektronik për vizitorë në faqen zyrtare të Parkut Kombëtar Mali Sharr. Leja mund të merret edhe në formë fizike, çdo ditë pune nga ora 08:00 deri në 15:30, në zyrat e institucionit. Gjatë vizitës në Parkun Kombëtar Mali Sharr është e detyrueshme pagesa për hyrjen e mjeteve motorike”, bëjnë të ditur nga Parku Kombëtar Mali Sharr.
Tarifat ndryshojnë sipas kategorisë së automjetit. Për motoçikletat dhe veturat pagesa është 150 denarë, për furgonët dhe minibusët me deri në 20 ulëse 250 denarë, ndërsa për autobusët dhe mjetet e rënda motorike 450 denarë. Tarifat vlejnë për të gjithë vizitorët që lëvizin me mjete motorike në rrugët e lejuara brenda Parkut Kombëtar. Nga kjo pagesë përjashtohen pronarët e pronave private dhe personat juridikë të regjistruar në territorin e parkut, për lëvizjen në zonat ku ndodhen pronat e tyre.
Ndërkohë, nga Parku Kombëtar apelojnë për kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe. “Për të shmangur pasojat e padëshiruara nga përhapja e zjarreve, ju lutemi të tregoni kujdes të shtuar. Në territorin e Parkut Kombëtar Mali Sharr është rreptësisht e ndaluar ndezja e zjarrit, përdorimi i zgarës, hedhja e bishtave të cigareve, hedhja e mbeturinave, si dhe çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr. Personave që do të kapen duke lëvizur në pyje ose toka pyjore në kundërshtim me ndalesën do t’u shqiptohen gjoba në të holla, në përputhje me nenin 106 të Ligjit për Pyjet. Apelojmë te të gjithë vizitorët që t’i respektojnë rregullat dhe rekomandimet. Vetëm me përgjegjësi të përbashkët mund ta ruajmë natyrën dhe sigurinë e Malit Sharr”, thuhet në apelin e Parkut Kombëtar.
Ndërkohë, edhe Njësia Territoriale Kundër Zjarrit në Tetovë ka dalë me një apel drejtuar pronarëve të objekteve industriale, afariste, depove dhe fabrikave.
“Për shkak të temperaturave të larta, motit të thatë dhe rritjes së rrezikut nga zjarret gjatë periudhës verore, u bëjmë apel që të ndërmerrni masa parandaluese për mbrojtjen e pronës dhe sigurinë e punonjësve. Kositni dhe pastroni barin e thatë dhe shkurret përreth objekteve. Largoni mbeturinat dhe materialet e ndezshme nga afërsia e ndërtesave. Siguroni që rrugët e qasjes për automjetet zjarrfikëse të jenë të lira dhe të kalueshme. Kontrolloni funksionalitetin e pajisjeve për mbrojtje nga zjarri dhe respektoni të gjitha masat e sigurisë. Bari i thatë dhe vegjetacioni i pakositur mund të marrin flakë brenda pak minutash, duke rrezikuar objektet, makineritë, mallrat dhe jetën e njerëzve”, deklaroi Avni Ameti, komandant i Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit në Tetovë.



