
Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, sot në Qeveri gjatë një brifingu me ambasadorët prezantoi rezultatet nga zbatimi i Agjendës Reformuese në fushën e sundimit të ligjit, reformat e realizuara ligjore dhe hapat e ardhshëm në përmbushjen e detyrimeve evropiane të shtetit.
Në fjalën e tij, ministri Filkov theksoi se Ministria e Drejtësisë në periudhën e kaluar ka realizuar ciklin më të gjerë të reformave ligjore, me dinamikë të fortë, qasje profesionale dhe përkushtim të plotë ndaj agjendës evropiane.
“Për më pak se dy vjet përgatitëm rreth tridhjetë zgjidhje ligjore, prej të cilave trembëdhjetë lidhen drejtpërdrejt me Agjendën Reformuese. Ky cikël ligjvënës paraqet procesin më të gjerë reformues të realizuar nga Ministria e Drejtësisë në një periudhë kaq të shkurtër dhe është dëshmi e qartë për kapacitetin institucional, përgjegjësinë dhe vendosmërinë me të cilat po zbatohen reformat”, theksoi Filkov.
Ai nënvizoi se reformat realizohen në koordinim të ngushtë me Qeverinë, Komisionin Evropian, ekspertët dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllimin e vetëm – krijimin e një sistemi gjyqësor funksional, efikas dhe plotësisht të harmonizuar me standardet evropiane.
17 hapa reformues në fushën e sundimit të ligjit
Në kuadër të kërkesës së katërt për çlirimin e mjeteve nga Agjenda Reformuese, në fushën “Sundimi i ligjit” ndiqen 17 hapa reformues, prej të cilëve shtatë lidhen me miratimin e 13 zgjidhjeve ligjore që janë në kompetencë të Ministrisë së Drejtësisë.
Ministri informoi se të gjitha zgjidhjet ligjore janë përgatitur, katër tashmë janë miratuar nga Kuvendi, ndërsa të tjerat janë në faza të ndryshme të procedurës ligjvënëse. Sipas dinamikës aktuale, do të raportohet realizimi i tetë hapave reformues, ndërsa për dy të tjerë vazhdojnë aktivitetet për sigurimin e mbështetjes më të gjerë politike – veçanërisht për Ligjin për Prokurorin Publik dhe Kodin Zgjedhor.
Rezultatet kyçe të prezantuara para ambasadorëve
U prezantuan edhe rezultatet më të rëndësishme të realizuara, ndër to:
• miratimi i Ligjit të ri për Këshillin Gjyqësor, plotësisht i harmonizuar me rekomandimet e Misionit Vlerësues të BE së dhe Komisionit të Venecias;
• miratimi i Ligjit për shërbimin gjyqësor dhe Ligjit për shërbimin prokurorial, me të cilët garantohen të drejtat e të punësuarve, përmirësohet sistemi i punësimit dhe vendoset vlerësim i drejtë i punës;
• plotësimi i të gjitha vendeve të punës në Agjencinë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar;
• zgjedhja e dy anëtarëve të rinj të Këshillit Gjyqësor sipas ligjit të ri, ndërsa procedura për anëtarin e tretë është në fazë përfundimtare.
Filkov theksoi se përmes platformës së Komisionit Evropian evidentohet rritje e vazhdueshme e numrit të hetimeve, aktakuzave, vendimeve gjyqësore, konfiskimeve dhe rasteve të menaxhimit të pasurisë së sekuestruar në lëndët që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar dhe pastrimin e parave.
Ligjet e reja në fazë përfundimtare
Në fazë përfundimtare janë:
• Ligji i ri për Prokurorin Publik,
• Ligji për buxhetin gjyqësor,
• Ligji i ri për procedurën penale,
• Kodi i ri Penal,
me të cilët do të kompletohet paketa më e gjerë reformuese në drejtësi në vitet e fundit dhe do të vendoset një kornizë moderne ligjore e harmonizuar me standardet evropiane.
Mesazhi i Filkovit: Reformat janë investim në të ardhmen
“Reformat janë investim në të ardhmen e shtetit. Me to ndërtojmë institucione më të forta, drejtësi më efikase, besim më të lartë te qytetarët dhe integrim më të shpejtë evropian. Aty ku nevojitet konsensus politik, pres përgjegjësi dhe qasje shtetformuese nga të gjithë aktorët politikë, sepse reformat evropiane janë detyrim ndaj shtetit dhe gjeneratave të ardhshme”, porositi ministri i Drejtësisë, Igor Filkov.



