
Vala e të nxehtit që ka shkaktuar 1300 viktima në mbarë Europën, ka vënë në pah nevojën urgjente që sistemet shëndetësore të jenë më të përgatitura për t’i bërë ballë temperaturave ekstreme.
Hans Kluge, drejtori rajonal për Europën i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nënvizoi se kjo situatë nuk është e zakonshme. “Trajtojeni të nxehtin ekstrem si një krizë shëndetësore dhe veproni përpara se temperaturat të arrijnë kulmin”, shkroi ai në platformën X. “Gatishmëria ndaj valëve të të nxehtit duhet të jetë konkrete: lirimi i shtretërve në spitale, mbrojtja e pacientëve me rrezik të lartë, sigurimi i sistemeve të ftohjes, kontrolli i burimeve rezervë të energjisë dhe mbështetja e personelit shëndetësor”, shtoi zyrtari i lartë i OBSH-së. Temperaturat përvëluese kanë ushtruar tashmë presion të konsiderueshëm mbi sistemet shëndetësore në disa shtete europiane.
Në Francë, repartet e urgjencës kanë raportuar një rritje katërfish të rasteve të lidhura me vapën, përfshirë goditjen nga nxehtësia dhe dehidratimin.
Ndërkohë, në Mbretërinë e Bashkuar, Shërbimi i Ambulancës së Londrës bëri të ditur se vala e të nxehtit kontribuoi në ditën më të ngarkuar në historinë e tij, duke iu përgjigjur gati 9.000 telefonatave emergjente brenda një dite të vetme.



