Shumë qytetarë në Maqedoni kanë tension të lartë të gjakut

Te 174 qytetarë, prej të cilëve 95 burra dhe 79 gra, dje janë kryer matje parandaluese falas të tensionit të gjakut, sheqerit dhe kolesterolit në gjak, si dhe vlerësimi i rrezikut për goditje në tru. Kontrollet u realizuan në një stendë të vendosur nga Klinika Universitare për Neurologji në Shkup, në sheshin “Maqedonia”.

Te 60 persona, përkatësisht 34,5 përqind, janë regjistruar vlera të larta të tensionit të gjakut, te 34 persona (19,5 përqind) janë konstatuar vlera të larta të sheqerit në gjak,ndërsa te 45 persona (25,9 për qind) janë regjistruar vlera të larta të yndyrave në gjak, deklaroi për MIA-n drejtori i Klinikës, dr. Jovan Bozhinovski.

Pacientët i përkisnin të gjitha grupmoshave, tha ai, por shumica ishin të moshuar. Përveç në Shkup, dje matje parandaluese falas janë kryer edhe në Tetovë, Kavadar dhe Shtip.

Sa i përket furnizimit me barna për pacientët me sëmundje neurologjike, dr. Bozhinovski tha se për çdo sëmundje neurologjike sigurohen barnat specifike të nevojshme. Kjo bëhet edhe përmes buxhetit të dedikuar për sëmundje të caktuara neurologjike, në kuadër të programit për sëmundje të rralla të Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas tij, nuk ka lista pritjeje.

“Bëhet fjalë për sëmundje të caktuara specifike neurologjike dhe për barna më të shtrenjta, për të cilat nuk ka lista pritjeje. Pra, sapo dikush diagnostikohet, pas përfundimit të procedurave administrative, e merr barin. Nuk ka mungesë të barnave për pacientët me sëmundje neurologjike”, shtoi dr. Bozhinovski.

Me rastin e Ditës Botërore të Goditjes në Tru, më 29 tetor, Klinika po organizon një sërë aktivitetesh për ngritjen e vetëdijes publikepër goditjen në tru, rëndësinë e parandalimit, njohjen e hershme të simptomave dhe trajtimin në kohë.

Sot, nga ora 11:00 deri në 13:00, në Klinikë do të organizohet Ditë e Hapur për qytetarët, gjatë së cilës do të kryhen falas ekzaminime Doppler të arterieve karotide. Kontrollet janë në dispozicion për të gjithë qytetarët e interesuar gjatë këtij orari, pa kufizim të numrit të ekzaminimeve.

Ngjarja qendrore do të mbahet nesër në Dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë në Shkup dhe do t’i kushtohet rëndësisë së parandalimit, njohjes në kohë të simptomave dhe përmirësimit të kujdesit shëndetësor për pacientët.