
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha në një deklaratë për mediat nga Kryesia e Kuvendit se Partia Socialiste nuk do të pranojë kërkesën për mocion me debat të PD lidhur me kërkesat e protestuesve pas nuk e njeh PD si interlokutorë me protestën.
Balla u ndal të komentonte protestën qytetare në Tiranë që sot futet në ditën e 30-të duke e cilësuar atë tashmë një tullumbace të shfryrë.
“Mbledhja e grupit ishte e fokusuar te agjenda jonë parlamentare dhe, po ashtu, jam informuar nga grupi parlamentar mbi qëndrimin që do të mbajmë mbi disa kërkesa për mocion me debat.
Sa i përket një kërkese të PD-së, e lexuara nga protesta, as nuk e pranoj dhe as nuk e njoh Partinë e Saliut si interlokutore mes nesh dhe protestës.
Respektoj të gjithë ata që do të jenë në protestë me çështje që lidhen me shqetësime për normat mjedisore në një investim jetik për ekonominë e vendit në Zvërnec, që do të bëhet domosdoshmërisht, pasi është një mundësi e madhe. E kam thënë edhe në qëndrimet e mia që brenda kësaj proteste janë përfshirë edhe elementë që edhe kur e frynë dhe tani që u shfry kjo tullumbace… ishin konkurrencë turistike dhe interferenca të huaja armiqësore. Kjo tullumbace ka plasur tanimë në sytë e shqiptarëve.
Këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një protestë që lindi për një akt që e ndajmë të gjithë; ajo dhunë në Zvërnec ishte e papranueshme. Sot atë çështje e kanë harruar, të vetmit që flasim tani për këtë jemi ne.
Sot protestën atyre që e nisën ua kanë vjedhur”, tha Balla.



