
Ministria e Drejtësisë informon se Propozimi i Ligjit për procedurën penale është publikuar në Regjistrin e Vetëm Kombëtar Elektronik të Rregulloreve (ENER), me çka fillon konsultimi publik për një nga zgjidhjet më të rëndësishme ligjore në fushën e drejtësisë.
Propozim ligji, siç informojnë nga Ministria e Drejtësisë, përmban zgjidhje për avancimin e dispozitave që kanë të bëjnë me konfiskimin, të drejtat e viktimave të veprave penale, masat për gjetjen dhe sigurimin e personave dhe sendeve, provat elektronike, masat e posaçme hetimore, hetimet financiare, qasjen në shkresat e lëndës, mbajtjen e seancave dhe paraqitjen e provave në distancë, veprimin pas aktakuzës, shqyrtimin kryesor, mjetet juridike, procedurën e shkurtuar dhe aspekte të tjera të procedurës penale.
“Propozimi është harmonizuar me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe me standardet ndërkombëtare dhe evropiane. Njëkohësisht, ligji është harmonizuar me 18 direktiva të Bashkimit Evropian, veçanërisht në pjesën e të drejtave procedurale të personave të dyshuar dhe të akuzuar, të drejtave të viktimave dhe konfiskimit”, theksojnë nga Ministria e Drejtësisë.
Risitë më të rëndësishme në Propozimin e Ligjit për procedurën penale janë: përmirësimi i dispozitave për konfiskim; digjitalizimi i procedurës penale; rishikimi i dispozitave për masat e posaçme hetimore; avancimi i të drejtave procedurale të personave të dyshuar dhe të akuzuar, si dhe i të drejtave të viktimave në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian; harmonizimi me Ligjin për ARO, Ligjin për menaxhimin e pronës së konfiskuar, dobisë pasurore dhe sendeve të sekuestruara në procedurë penale dhe kundërvajtëse, si dhe Ligjin për pagesën e kompensimit në para për viktimat e veprave penale me dhunë; dhe mënjanimi i mangësive të konstatuara në praktikën e deritanishme.
Me zgjidhjet e propozuara, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Drejtësisë, krijohet bazë për një procedurë penale më efikase, më transparente dhe më moderne, të harmonizuar me standardet evropiane dhe nevojat e sistemit bashkëkohor të drejtësisë.



