
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, për herë të parë reagoi ndaj protestave që po zhvillohen në Tiranë prej më shumë se tre javësh, duke theksuar se e drejta e qytetarëve për t’u shprehur dhe për të marrë pjesë në jetën publike është një vlerë e mbrojtur nga Kushtetuta, por duhet të jetë në përputhje me të dhe me ligjet e vendit.
“Ky aktivitet zhvillohet në një moment kur qytetarë po shprehin publikisht shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre në mënyrë paqësore. Në respekt të pozicionit kushtetues, neutralitetit kushtetues, mund të theksoj se e drejta për t’u shprehur dhe për të marrë pjesë në jetën publike është një vlerë e mbrojtur nga Kushtetuta, e cila duhet të ushtrohet në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Konsolidimi i demokracisë dhe zhvillimi i qëndrueshëm i vendit mbështeten në angazhimin e përbashkët të qytetarëve dhe institucioneve për të vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe interesin kombëtar dhe atë publik. Korniza kushtetuese, së bashku me rregullat e shtetit ligjor dhe demokracisë përbëjnë garancinë kryesore për funksionimin e drejtë të shoqërisë”, theksoi Begaj.
Si shef i shtetit, ai shprehu gatishmërinë e tij për të nxitur dialogun dhe bashkëpunimin në shërbim të interesit kombëtar.
“Mbetem i përkushtuar në mbrojtje të Kushtetutës, të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, si dhe në nxitjen e një klime bashkëpunimi dhe dialogu që i shërben interesit kombëtar dhe publik, të ardhmes evropiane dhe përkatësisë dhe vlerave Euroatlantike të vendit”, theksoi Begaj.
Në Tiranë mbrëmë u zhvillua protesta e 25-të me radhë, duke përsëritur kërkesat tashmë të njohura të “dorëheqjes pa kushte të kryeministrit dhe të qeverisë”, të shoqëruara me formimin e një qeverie kalimtare jopartiake me mandat 12-mujor.
Ata kërkojnë edhe ndryshime kushtetuese për të siguruar barazinë e qytetarëve para ligjit, me ndryshimet që do të miratohen përmes një referendumi popullor.
Midis propozimeve është edhe një kufizim mandati për kryeministrin, me çka do t’i lejonte atij më së shumti dy mandate gjatë jetës së tij.
Kërkesat e tyre u mbështetën nga opozita shqiptare dhe ajo u bëri thirrje anëtarëve të saj të merrnin pjesë në protesta.


