
Gjyqi për çështjen CEZ-DIA është shoqëruar me përplasje mes Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit në sallën e GJKKO-së.
Gjatë deklarimeve të tij, ish-presidenti mohoi çdo ndërhyrje politike apo ndikim në çështjen për të cilën akuzohet, duke thënë se veprimet e ish-bashkëshortes së tij i di vetë ajo.
Meta hodhi poshtë pretendimet për mesazhe apo komunikime me persona të përmendur në dosje, duke i cilësuar akuzat si shpifje dhe një histori të sajuar. Seanca po ndiqet nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.
Meta: Nuk ekziston asnjëlloj ndikimi për Adrian Shatkun. As për askënd tjetër. Asnjë SMS për Monika Kryemadhin, Piro Xhixhon. Edhe një interes që mund të ishte i ligjshëm. As me Theodhori Çamin, që e ka mbiemrin Çami, po ka therur çamë. Kjo është histori UDB-je, edhe Adrian Shatku duhet të kishte ardhur këtu sapo dëgjoi emrin, se ka ngrënë bukë në shtëpinë time. Adrian Shatku u largua në 1989, e mori UDB-ja, pastaj iku në Amerikë. Kjo është histori UDB-je dhe agjenturash greke. Nuk kam asnjë dijeni për veprimet e Monika Kryemadhit, i di vetë ajo. Ato historitë e mesazheve i di zonja Kryemadhi.”
Në këtë moment, Monika Kryemadhi i përgjigjet: Boll se nuk është ashtu. Me llafet që të sjell Altin Dumani, thashetheme flet këtu. Mos u merr me llafe grash. Akoma merresh me thashethemet e Tedi Blushit?
Pasi gjykata i tërheq vëmendje, Kryemadhi thotë: Kam 4 vjet që e dëgjoj dhe e duroj. Edhe babai im të çohet nga varri, nuk e duroj dot më. Do të t’i lexoj dhe unë mesazhet ty, të marrësh vesh. Me llafet e këtij rrogëtari merresh ti?
Duke iu referuar deputetit të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, që ndodhet në sallë.
Gjykata: Do ju nxjerr nga salla e gjyqit. Paralajmërojmë të pandehurën Monika Kryemadhi, nëse e përsërisni, do largoheni nga seanca dhe do gjobiteni.
Avokati për çështjet e tjera, për lobimin:
- Mungesa absolute e elementit subjektiv. Nuk provohet se z. Meta ka marrë përfitim mbrapsht nga kontrata mes GSIS dhe LSI.
- Pagesat e Adrian Shatkut nuk janë autorizuar nga Ilir Meta.
- Subjekti i posaçëm, lidhja shkakësore, dashja specifike dhe vetëdija ndaj veprës penale për korrupsionin nuk provohen.
- Pastrimi i produkteve të veprës penale do të duhej të ishte provuar korrupsioni, për të pasur elementë të pastrimit. SPAK thotë se provat i ka përmes deduksionit. LSI nuk ka marrë asnjë faturë nga GSIS.
Avokati Cakrani :Të thirren dëshmitarë:
* Petrit Vasili
* Luan Rama
* Elena Gaçe
* Mirela Meko
* Vangjel Tavo
* Endrit Braimllari
* Denis Bruke (GSIS)
* David (GSIS)
* Eriol Braimllari
* Adrian Shatku
Gjithashtu të thirret:
* Ekspert kontabël.
* Ekspert ligjor amerikan për kontratat e GSIS në SHBA, për të verifikuar nëse kompania ka paraqitur kontrata të mëparshme në SHBA.
Dyshimi ynë është që mund të jenë falsifikuar dokumentacionet mes Adrian Shatkut dhe GSIS.



