
Nesër, më 23 qershor, do të realizohet afati i dytë i paraqitjes elektronike për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme për vitin shkollor 2026/2027. Pas përfundimit të afatit të parë të regjistrimit, në të cilin aplikuan gjithsej 15.075 nxënës dhe u regjistruan 13.397 prej tyre, kanë mbetur të lira edhe 11.882 vende në shkollat e mesme në mbarë vendin.
Rezultatet përfundimtare do të publikohen po atë ditë në tabelat e shpalljeve të shkollave dhe në faqet e tyre zyrtare. Këtë vit shkollor testimi kualifikues u zhvillua sot, në shkollën e mesme medicinale “dr.Pançe Karagjozov” për profilin teknik farmaceutik në gjuhën shqipe. Nxënësit u testuan në biologji dhe kimi, sipas programit mësimor të klasës së tetë dhe të nëntë. Autoritetet arsimore u bëjnë thirrje nxënësve që nuk arritën të regjistrohen në afatin e parë të shfrytëzojnë mundësinë e dytë dhe të aplikojnë brenda afatit të paraparë./Alsat.mk.



