BotaLajme

Shkon në 13 numri i viktimave nga shpërthimi në një impiant gazi në Katar, dhjetëra të plagosur

Të paktën 13 persona kanë vdekur dhe 66 të tjerë janë plagosur si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm që ndodhi në një nga impiantet më të mëdha të gazit në Katar.

Lajmi është konfirmuar nga ministri i Energjisë i Katarit, Saad al-Kaabi, i cili bëri të ditur se incidenti ndodhi mbrëmjen e kaluar gjatë operacioneve të nisjes në kompleksin industrial Ras Laffan Industrial City, qendra kryesore e vendit për prodhimin dhe eksportimin e gazit natyror të lëngshëm.

Sipas autoriteteve, ekipet emergjente ndërhynë menjëherë pas shpërthimit, ndërsa të plagosurit u dërguan për trajtim mjekësor në institucionet shëndetësore përkatëse, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Ministri Al-Kaabi deklaroi se tashmë ka nisur një hetim i plotë për të përcaktuar shkaqet e shpërthimit.

Ai theksoi se, bazuar në të dhënat paraprake, bëhet fjalë për një aksident industrial dhe jo për ndonjë akt agresioni apo sabotimi.

“Aktualisht po zhvillohen hetime për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, por deri më tani nuk ka indikacione se shpërthimi lidhet me ndonjë sulm apo veprim të qëllimshëm”, tha ai.

Autoritetet katariote kanë siguruar gjithashtu se kapacitetet eksportuese të impiantit nuk janë prekur nga incidenti dhe se nuk ekziston rrezik për ndotje të mjedisit apo pasoja të tjera ekologjike.

Kompleksi Ras Laffan konsiderohet një nga asetet më strategjike të Katarit në sektorin energjetik dhe luan rol kyç në eksportin e gazit natyror të lëngshëm drejt tregjeve ndërkombëtare.

Ky objekt ishte goditur rëndë edhe më herët gjatë vitit, kur sulmet iraniane në fillim të luftës në muajin mars shkaktuan dëme të konsiderueshme në infrastrukturën energjetike të vendit.

Në atë kohë, autoritetet e Katarit njoftuan se sulmet kishin shkatërruar rreth 17 për qind të kapacitetit eksportues të vendit, duke shkaktuar humbje të vlerësuara në rreth 20 miliardë dollarë të ardhura vjetore.

Ndërkohë, hetimet për shpërthimin e fundit vazhdojnë, ndërsa autoritetet pritet të publikojnë detaje shtesë në ditët në vijim.

Related Articles

Back to top button
Close
Close