
Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami po mendon ta miratojë sërish në Këshill vendimin për riemërtimin e rrugëve dhe sheshit të Tetovës, të cilat u abroguan nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, neni 75, paragrafi 1, nëse këshilli miraton për herë të dytë një vendim të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, këshilli shpërbëhet automatikisht dhe shpallen zgjedhje të parakohshme për këshill.
Kasami po mendon ta bëjë këtë hap dhe t’i lërë qytetarët të vendosin se kush ka të drejtë për çështjen e emrave. Ai është i bindur se qytetarët e Tetovës e dinë se BDI-ja qëndron pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pasi kjo përbërje u zgjodh në kohën e tyre.
Argumenti tjetër që e shtyn Kasamin drejt këtij vendimi janë anketat e brendshme në Tetovë. Sipas këtyre anketave, përkrahja për Bilall Kasamin dhe VLEN-in është rritur dukshëm krahasuar me periudhën para zgjedhjeve lokale, kur VLEN fitoi me rreth 2 mijë vota dallim në zgjedhjet për këshill. Sipas këtyre anketave, dallimi tani është dyfishuar dhe VLEN mund të marrë edhe dy këshilltarë më shumë në llogari të BDI-së.




