KurioziteteLajme

Zbulohet miza që humbet krahët dhe sakrifikon shikimin

Shkencëtarët kanë zbuluar se një lloj mize parazitare, e njohur si miza e drerit, pëson ndryshime të jashtëzakonshme pasi gjen një pritës. Ajo heq dorë përgjithmonë nga krahët dhe duket se redukton edhe aftësinë e saj për të parë, në mënyrë që të kursejë energji për funksione të tjera jetike.

Studiues nga Universiteti i Aberistithit dhe Universiteti i Firences zbuluan se ky ndryshim i madh në stilin e jetesës shoqërohet me një transformim të rëndësishëm në sistemet shqisore të insektit.

Para se të gjejnë një pritës, këto miza fluturojnë dhe mbështeten shumë te shikimi për të lokalizuar kafshët nga të cilat do të ushqehen me gjak. Por pasi vendosen mbi një dre ose kafshë tjetër dhe humbin krahët, ato nuk kanë më nevojë të kërkojnë pritës të rinj. Për këtë arsye, organizmi i tyre duket se zvogëlon energjinë e shpenzuar për shikimin.

Për të studiuar këtë proces, shkencëtarët krahasuan mizat me krahë që ishin ende në kërkim të një pritësi me ato pa krahë që jetonin tashmë si parazitë. Ata analizuan aktivitetin e gjeneve të quajtura opsina, të cilat luajnë rol kyç në ndjeshmërinë ndaj dritës dhe shikimin.

Rezultatet treguan se, pasi miza humb krahët, aktiviteti i gjeneve të shikimit bie në rreth gjysmën e nivelit të mëparshëm. Kjo nuk do të thotë se ajo bëhet plotësisht e verbër, por shikimi i saj bëhet dukshëm më pak i ndjeshëm.

ImageSipas udhëheqësit të studimit, dr. Roger Santer, miza mund të jetë duke “sakrifikuar” një pjesë të aftësisë së saj për të parë për të kursyer energji që më pas përdoret për tretjen e ushqimit dhe riprodhimin.

Studimi, i botuar në revistën shkencore Journal of Experimental Biology, ofron njohuri të reja mbi mënyrën se si parazitët përshtatin shqisat e tyre kur ndryshojnë mënyrën e jetesës. Studiuesit besojnë se kuptimi më i mirë i sjelljes së mizave pickuese mund të ndihmojë në të ardhmen në zhvillimin e metodave më efektive për monitorimin dhe kontrollin e tyre. / Scitech Daily – Syri.net

Related Articles

Back to top button
Close
Close