
Paraguai afrohet akoma dhe më shumë drejt fazës me eliminim direkt në Botërorin 2026, pasi mposhti Turqinë me rezultatin minimal 1-0 në ndeshjen e Grupit D.
Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për Paraguain. Vetëm 65 sekonda pas fishkëllimës së parë, një gabim në pasim i Turqisë u shfrytëzua nga Matías Galarza, i cili lëshoi një goditje të fortë nga distanca dhe mposhti portierin Uğurcan Çakır për 1-0.
Pak para pushimit, sfida mori një kthesë të papritur. Miguel Almirón u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë Paraguain me 10 lojtarë për të gjithë pjesën e dytë.
Me epërsinë numerike, Turqia ushtroi presion të vazhdueshëm pas pushimit, por nuk arriti të gjejë rrugën e rrjetës. Deniz Gül, Can Uzun dhe Merih Demiral shpërdoruan rastet më të mira, ndërsa portieri Orlando Gill ishte vendimtar me pritjet e tij.
Pavarësisht dominimit dhe numrit të madh të rasteve të krijuara, skuadra e Vincenzo Montellës pësoi humbjen e dytë radhazi në grup dhe humbi çdo shans për kualifikim.
Ndërkohë, Paraguai mori tri pikë shumë të rëndësishme dhe afrohet ndjeshëm me fazën tjetër të turneut.
Rezultati:
Turqi 0-1 Paraguai
Matías Galarza 2’



