LajmeMaqedoni

Izet Zeqiri: Kjo ishte zgjidhja që propozova në vitin 2012 për zhbllokimin e emrave të rrugëve

Ish-deputeti Izet Zeqiri ka rikujtuar një iniciativë ligjore të dorëzuar në Kuvendin e Maqedonisë në vitin 2012, e cila synonte zhbllokimin e proceseve për përcaktimin dhe ndryshimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore në komunat multietnike.

Sipas Zeqirit, propozim-ligji për plotësimin e Ligjit për Komitetin për Marrëdhënie Midis Bashkësive u shqyrtua në seancë parlamentare, por nuk arriti të marrë mbështetjen e nevojshme për t’u votuar.

Ai rikujton se iniciativa parashihte që, në rastet kur komunat nuk arrijnë konsensus për emërtimin e rrugëve dhe hapësirave publike për shkak të bllokadave politike apo përdorimit të mekanizmit të Badenterit, vendimmarrja t’i kalonte Komitetit për Marrëdhënie Midis Bashkësive

“Komiteti, pas kërkesës së Këshillit të Komunës, brenda afatit prej një muaji nga paraqitja e iniciativës, do të merrte vendim për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore”, thuhej në propozimin e paraqitur nga Zeqiri.

Në arsyetimin e tij, ai kishte theksuar se në shumë komuna procesi i ndryshimit të emrave të rrugëve mbetej i bllokuar për vite të tëra, duke penguar realizimin e të drejtave të bashkësive etnike dhe duke krijuar pabarazi në përfaqësimin e figurave historike, kulturore dhe kombëtare në hapësirat publike.

Zeqiri kishte argumentuar se Komiteti për Marrëdhënie Midis Bashkësive, si institucion i dalë nga Marrëveshja e Ohrit, duhej të kishte kompetenca më të gjera për të ndërmjetësuar dhe për të marrë vendime në raste të tilla, duke parandaluar bllokadat e pafundme në nivel lokal.

“Qëllimi ishte krijimi i një mekanizmi institucional që do të garantonte zgjidhje brenda afateve ligjore dhe do të eliminonte pengesat politike që shpesh e kanë mbajtur peng këtë proces”, thekson Zeqiri.

Edhe pse propozimi nuk u miratua në vitin 2012, ai vlerëson se tema mbetet aktuale dhe se nevoja për një zgjidhje institucionale për çështjen e emrave të rrugëve vazhdon të jetë e pranishme në shumë komuna të vendit. (INA)

Related Articles

Back to top button
Close
Close