LajmeMaqedoniTopLajm

Nikolloski: Autostrada drejt Kosovës do të sjellë transport më të shpejtë dhe zhvillim ekonomik

Zëvendëskryetari i Qeverisë dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski, sot në kuadër të samitit të ministrave në Selanik ka realizuar takim dypalësh me ministrin e Infrastrukturës dhe Transportit të Kosovës, Dimal Basha.

Siç qëndron në kumtesën e Ministrisë, në takim ishte biseduar për përparimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ndërmjet dy vendeve, si dhe për realizimin të projekteve të përbashkëta rajonale infrastrukturore me rëndësi strategjike.

Në takim ishte vlerësuar se Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe dhe potencial të rëndësishëm për rritje të mëtutjeshme të bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e infrastrukturës transportuese, e cila përfaqëson bazë për zhvillim ekonomik, shkëmbim të rritur tregtar dhe lidhje më të mirë të rajonit.

Nikolloski theksoi se Qeveria është e përkushtuar plotësisht në realizimin e investimeve kapitale infrastrukturore, me çka vendosi theks të veçantë në ndërtimin e autostradës Shkup – Bllacë.

“Ky projekt përfaqëson lidhjen më të rëndësishme rrugore midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, e cila do të kontribuojë për transport rrugor më të shpejtë, më të sigurt dhe më efikas, do të përmirësojë lëvizshmërinë e qytetarëve dhe të ekonomisë, si dhe do të forcojë më tej bashkëpunimin rajonal”, theksoi Nikolloski.

Bashkëbiseduesit u pajtuan se infrastruktura më e mirë e transportit do të mundësojë aktivitet ekonomik më të intensifikuar, qarkullim më të lehtë të njerëzve dhe mallrave dhe do të krijojë mundësi të reja për investime dhe zhvillim të bashkësisë së biznesit nga të dyja anët.

Në takim, gjithashtu, ishte potencuar se Kosova është një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Maqedonisë, ndërsa realizimi i projekteve të përbashkëta infrastrukturore do të kontribuojë për rritje të mëtutjeshme të shkëmbimit tregtar, përmirësimin e konkurrencës në rajon dhe krijimin e kushteve për rritje të qëndrueshme ekonomike.

Të dyja palët e konfirmuan gatishmërinë e tyre për intensifikimin e bashkëpunimit institucional dhe vazhdimin e aktiviteteve të përbashkëta me qëllim realizim më të shpejtë të projekteve të cilat janë me interes të ndërsjellë dhe të cilat do të sjellin përfitime afatgjate për qytetarët dhe ekonomitë e të dy vendeve.

Related Articles

Back to top button
Close
Close