LajmeMaqedoniTopLajm

One Stop Shop, projekt bilateral Shqipëri–Maqedoni e Veriut, jo arritje partiake e VLEN-it

Deputeti Bekim Qoku nga radhët e VLEN-it paska zgjedhur ta paraqesë projektin “One Stop Shop” në Qafë Thanë si një tjetër premtim të realizuar.
Kjo nuk qëndron.

“One Stop Shop” nuk është as ide e VLEN-it, as premtim i VLEN-it, as arritje e VLEN-it. Përgatitjet për këtë sistem kanë nisur që në vitin 2019, në kohën kur VLEN nuk ekzistonte as si subjekt politik. Marrëveshja qeveritare është nënshkruar më 14 nëntor 2022, ndërsa inaugurimi zyrtar është bërë më 31 korrik 2023, me pjesëmarrje institucionale nga të dyja qeveritë.

Pra, flasim për një projekt bilateral mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, jo për projekt partiak. VLEN nuk ka qenë as iniciator, as propozues, as bartës i këtij procesi.

Atëherë, për cilin premtim të realizuar flet deputeti Qoku?

Në politikë nuk është e ndershme të marrësh meritën për punën e të tjerëve. Nëse VLEN ka kapacitet, le të tregojë çfarë ka realizuar vetë gjatë këtyre dy viteve në qeveri. Le të tregojë një projekt konkret për shqiptarët. Le të arsyetojë mandatin me punë, jo me statuse në Facebook.

Në vend që të përvetësoni projekte të nisura dhe të realizuara para jush, zbatoni ligjin. Mundësojuni studentëve shqiptarë që edhe pjesën praktike të provimit të jurisprudencës ta japin në gjuhën shqipe. Aty matet guximi politik. Aty shihet përfaqësimi i vërtetë.

Është e papranueshme që një deputet, në mungesë të projekteve dhe rezultateve, të dalë para qytetarëve dhe të shesë si arritje të subjektit të tij një punë që as nuk e ka propozuar, as nuk e ka udhëhequr, as nuk e ka realizuar.

Qytetarët, sidomos shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, nuk kanë nevojë për përfaqësues që vrapojnë pas meritave të huaja. Ata kanë nevojë për njerëz që punojnë, që mbajnë fjalën dhe që guxojnë të zgjidhin çështjet që i prekin drejtpërdrejt.

Kjo nuk është arritje. Është përvetësim politik i punës së dikujt tjetër.

Propaganda e thatë nuk e mbulon mungesën e rezultateve. Tregoni çfarë keni bërë ju. Cilat premtime i keni realizuar. Cilin projekt e keni nisur, udhëhequr dhe përfunduar vetë për shqiptarët.

Ajo që dimë për ju është krejt tjetër. Degraduat shqiptarët nga poste udhëheqëse. Sot vështirë gjendet një shqiptar në pagesat rrugore që nuk ndihet i diskriminuar. Punonjësit shëndetësorë shqiptarë janë lënë në margjina. Investimet në shkencë dhe arsim sipëror i keni vetëm në letër. Premtimet për përfaqësim të drejtë i kthyet në heshtje. Premtimet për dinjitet institucional i zëvendësuat me arsyetime.

Këto janë faktet politike që qytetarët i shohin çdo ditë. Prandaj mos u fshihni pas projekteve që nuk janë tuajat. Dilni dhe tregoni çfarë keni bërë vetë për shqiptarët. Jo çfarë keni gjetur gati, jo çfarë keni përvetësuar, por çfarë keni nisur dhe përfunduar me punën tuaj.

Related Articles

Back to top button
Close
Close