
Nënpresidenti amerikan, JD Vance ka thënë se presidenti Donald Trump mund të vendosë ta bëjë publike para 19 qershorit marrëveshjen kornizë për t’i dhënë fund luftës me Iranin, e cila u nënshkrua në mënyrë digjitale të hënën.
Duke folur për Fox News, Vance theksoi se marrëveshja bazohet plotësisht në përmbushjen e kushteve, duke bërë të qartë se Irani do të ketë qasje në fondet për rindërtimin e vendit, vetëm nëse i respekton plotësisht kushtet e marrëveshjes.
Më herët, Vance tha për CNN se memorandumi i mirëkuptimit midis SHBA-së dhe Iranit është “rreth një faqe e gjysmë” në volum dhe e cilësoi atë si dokument “shumë të përgjithshëm”.
Marrëveshja kornizë u jep Uashingtonit dhe Teheranit 60 ditë kohë për biseduar për gjetjen një marrëveshjeje të përhershme, përfshirë zgjidhjen e mospajtimeve lidhur me rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit.
Zyrtarë amerikanë thanë të hënën se marrëveshja mund të publikohet për publikun brenda 24 deri në 48 orëve.
Trump ka theksuar se thelbi i marrëveshjes gjithëpërfshirëse për paqe do të jetë garantimi se Irani nuk do të zhvillojë kurrë armë bërthamore dhe se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e hapur për qarkullimin e lirë të anijeve.
Ngushtica, e cila është rrugë jetike për furnizimet globale me naftë dhe gaz, ka qenë praktikisht i mbyllur nga Irani qëkurse SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Republikës Islamike më 28 shkurt.
Mbyllja e saj tronditi tregjet e energjisë dhe ekonominë globale. Marrëveshja kornizë mes SHBA-së dhe Iranit u mirëprit nga udhëheqësit perëndimorë, të cilët thanë se Ngushtica e Hormuzit duhet të jetë e hapur për lundrim pa tarifa dhe se Teherani nuk duhet të zotërojë kurrë armë bërthamore.



