
Nga Sefer Selimi
Përgjegjësia politike (dhe morale) nuk kërkon ligj për t’u zbatuar. Absurdi që Ligji i ShaziKarakamishevës po tentohet të imponohet përmes narrativës së “përgjegjësisë politike”, gjegjësisht përmes mundësisë së shkarkimit nga posti, është tallje me qytetarët dhe një përpjekje e paskrupullt për të mashtruar opinionin publik.
Ja disa kundërargumente ndaj manipulimeve dhe konfuzioneve që përfaqësues të VLEN-it po përdorin për të mbrojtur të pambrojtshmen:
1. Dispozita kushtetuese për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ekziston edhe sot.
Pas shfuqizimit të Balancuesit, pamë dhjetëra konkurse publike ku u punësuan qindra administratorë, ndërsa kjo dispozitë kushtetuese u përdhos në mënyrën më brutale. Në shumë raste shqiptarët rezultuan me zero ose me përfaqësim krejtësisht simbolik, në kundërshtim të plotë me frymën dhe qëllimin e Kushtetutës. Pse nuk kërkohet përgjegjësi politike për këto raste? Pse nuk mbështeten në raportet e Avokatit të
Popullit për të kërkuar shkarkime dhe përgjegjësi?
2. Si do të “shkarkohen” të zgjedhurit në funksione publike?
Për shembull, kryetarët e komunave zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët. Me çfarë mekanizmi do të zbatohet kjo e ashtuquajtur “përgjegjësi politike” ndaj tyre? Kjo tregon se koncepti i promovuar nuk është as i qartë dhe as i zbatueshëm.
3. Meritokracia nuk përjashton përfaqësimin e drejtë dhe adekuat.
Parimi i meritokracisë dhe kuotat etnike nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Kriteret profesionale mund dhe duhet të zbatohen brenda objektivit kushtetues për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Pra, është plotësisht e mundur të ketë edhe meritokraci, edhe përfaqësim.
4. Emri nuk e përcakton përkatësinë etnike.
Ka romë, turq, shqiptarë, boshnjakë dhe komunitete të tjera që kanë emra të njëjtë ose të ngjashëm me prejardhje fetare. Po ashtu ka maqedonas, serbë, bullgarë e popuj të tjerë sllavë që ndajnë emra të njëjtë ose të ngjashëm. Përkatësia etnike nuk mund të përcaktohet mbi bazën e emrit dhe mbiemrit.
4. Metodologjia nuk mund të jetë më fuqishëm se ligji
Metodologjia nuk mund të jetë më e fuqishme se ligji, veçanërisht kur bëhet fjalë për një ligj që miratohet me shumicë të dyfishtë dhe që buron nga një parim kushtetues.
Prandaj, nëse vërtet ekziston vullnet për të garantuar përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, pse të mos qartësohen dhe të përfshihen në ligj të gjithë mekanizmat dhe instrumentet e nevojshme për zbatimin e tij? Pse këto çështje të lihen në mëshirën e vullnetit politik të kësaj apo një qeverie të radhës, e cila nesër mund t’i ndryshojë, t’i anashkalojë ose t’i shpërfillë me një vendim të thjeshtë administrativ?
6. Qeveria nuk ka nevojë për ligj për të formuar një trup koordinues.
Nëse ekziston vullnet politik, një trup i tillë mund të themelohet me vendim të Qeverisë. Aq më tepër kur propozohet të kryejë funksione që tashmë bien në fushën e kompetencave të një institucioni të pavarur, siç është Avokati i Popullit.
Prandaj, të gjitha këto nebuloza, konfuzione dhe kjo kakofoni argumentesh kanë vetëm një qëllim: të mbrojnë të pambrojtshmen. Në vend të garantimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, po tentohet të legalizohet relativizimi i tij.
Ligji i “ShaziKarakamishevës” nuk kalon!



