
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj njoftimeve të fundit të përfaqësuesve të qeverisë për fillimin e punimeve në autostradën Shkup–Bllacë, duke akuzuar ekzekutivin se ka vonuar për dy vjet realizimin e një projekti të konceptuar dhe përgatitur nga qeveritë e mëparshme ku BDI ishte pjesë.
Nga BDI thonë se autostrada Shkup–Bllacë është ideuar, projektuar, dizajnuar dhe buxhetuar gjatë qeverisjes së tyre, ndërsa qeveria aktuale, sipas tyre, ka pasur për detyrë vetëm të përzgjedhë kompaninë realizuese të projektit.
“Qeveria e BDI-së e kreu edhe projektimin me kompaninë amerikane Hill për vazhdimin e autostradës deri te qarkorja e Shkupit dhe siguroi financimin nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Gjithashtu, u shpall thirrja për ndërtim, në të cilën aplikuan 11 kompani, ndërsa qeveria aktuale duhej vetëm ta përzgjidhte realizuesin”, thuhet në reagimin e BDI-së, përcjell Zhurnal.mk.
Partia opozitare pretendon se qeveria ka vonuar për dy vjet nisjen e ndërtimit të 10.8 kilometrave të mbetura të autostradës, ndërsa akuzon se edhe segmenti i parë prej dy kilometrash, i përfunduar gjatë qeverisjes së kaluar, ende nuk është lëshuar në përdorim.
Sipas BDI-së, gjatë kësaj periudhe janë dhënë arsye të ndryshme për vonesat, përfshirë pretendime për çështje pronësore, ndryshime të mundshme të trasesë dhe reduktim të profilit të rrugës.
Në reagim, BDI ka theksuar se projektet infrastrukturore si Korridori 8, Korridori 10-D, autostrada Shkup–Bllacë, Rruga e Arbërit, qarkorja e Tetovës dhe sistemi “One Stop Shop” në kufijtë me Kosovën dhe Shqipërinë, sipas tyre, janë projekte që mbajnë vulën e qeverisjes së tyre.
“Për dy vjet e vonuan projektin, ndërsa sot lavdërohen me të. Këto projekte mbajnë vulën e BDI-së”, thuhet në reagimin e partisë. përcjell Zhurnal.mk .



