LajmeRajonTopLajm

Hulumtimi: Shqiptari Dritan Abazoviq, politikani më i pëlqyer në Mal të Zi, URA renditet e katërta

Lideri i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq, gëzon mbështetjen më të lartë neto mes politikanëve në Mal të Zi, sipas një hulumtimi të opinionit publik të realizuar gjatë javës së parë të qershorit 2026.

Sipas rezultateve të publikuara nga portali “24kroz7”, ish-kryeministri shqiptar i Malit të Zi, Abazoviq, kryeson listën e politikanëve me një rejting neto pozitiv prej +37 për qind, duke lënë pas kryeministrin dhe liderin e Lëvizjes Evropa Tani (PES), Milojko Spajiq, i cili ka +25 për qind, si dhe kryetarin e DNP-së, Milan Knezheviq, me +14 për qind.

Në mesin e politikanëve me bilanc pozitiv të mbështetjes janë edhe ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq (+12 për qind), lideri i Aleancës Evropiane, Boris Mugosha (+10 për qind), si dhe kryetari i DPS-së, Danijel Zhivkoviq (+5 për qind).

Kur bëhet fjalë për partitë politike, Lëvizja Qytetare URA renditet në vendin e katërt me 8,1 për qind të mbështetjes së qytetarëve. Para saj gjenden Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) me 23,6 për qind, Lëvizja Evropa Tani (PES) me 15,1 për qind dhe Nova Srpska Demokratija (NSD) me 9,3 për qind.

Pas URA-s renditen Partia Demokratike Popullore (DNP) me 7,8 për qind, Demokratët (DCG) me 5,5 për qind, Aleanca Evropiane me 4,8 për qind dhe Partia Boshnjake (BS) me 3,9 për qind të mbështetjes.

Sipas sondazhit, nën pragun zgjedhor mbeten Partia Socialiste Popullore (SNP) me 2 për qind dhe lëvizja Preokret me 1,2 për qind.

Një e dhënë veçanërisht e rëndësishme është se 18,7 për qind e të anketuarve deklaruan se ende nuk kanë vendosur se kë do të mbështesin ose nuk kanë dashur të shprehen për preferencën e tyre politike.

Hulumtimi ofron një pasqyrë të tendencave aktuale politike në Mal të Zi dhe tregon se, ndonëse DPS vazhdon të jetë partia më e madhe individuale, Dritan Abazoviqi mbetet figura politike me mbështetjen më të lartë personale në vend.

 

Related Articles

Back to top button
Close
Close