LajmeMaqedoni

“LIDHJA NA BASHKON”, FRYMË E UNITETIT KOMBËTAR

Në mjediset e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup u mbajt Edicioni XIII i manifestimit kulturor “Lidhja na Bashkon”, organizuar nga Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në vendin tonë. Manifestimi u mbajt me rastin e shënimit të 148-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Në manifestim morën pjesë studiues, profesorë universitarë, krijues, artistë, përfaqësues institucionesh dhe veprimtarë të çështjes kombëtare. Me këtë rast u përkujtua njëra nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë. Njëherazi u promovuan edhe vlerat tona kulturore, historike e kombëtare.

Veprimtarinë e shpalli të hapur kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, Mr. Selam Sulejmani. Në fjalën e tij, ai theksoi se manifestimi “Lidhja na Bashkon”, tashmë në vitin e trembëdhjetë të organizimit, ka krijuar një traditë të rëndësishme në ruajtjen e kujtesës historike dhe në promovimin e kulturës shqiptare. Ai nënvizoi se kultura, arsimi dhe shkenca mbeten themele mbi të cilat ndërtohet vetëdija jonë kombëtare dhe identiteti ynë kulturor.

Të pranishmit i përshëndeti edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Shkëlqesia e Tij Florian Qehaja, i cili për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit tha se është një nga momentet më të rëndësishme të organizimit politik dhe kombëtar të shqiptarëve. Ai vuri në dukje se idealet e Lidhjes vazhdojnë të na frymëzojnë edhe sot, për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar dhe për forcimin e bashkëpunimit midis shqiptarëve.

Në pjesën shkencore të manifestimit, referatin kushtuar 148-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e mbajti Prof. Dr. Zeqirja Idrizi. Ai pohoi se Lidhja, e themeluar në Prizren më 10 qershor 1878, ishte organizimi i parë politik dhe ushtarak mbarëshqiptar për mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare nga copëtimi i parashikuar në Traktatin e Shën Stefanit si dhe me vendimet e Kongresit të Berlinit.

Sipas tij, Lidhja kishte tre synime themelore: mbrojtjen e trojeve shqiptare, bashkimin e tyre në një vilajet të vetëm dhe dëshmimin para Evropës se shqiptarët, pavarësisht dallimeve fetare, përbëjnë një komb më vete.

Ai po ashtu vuri në dukje rolin e figurave të shquara si Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Sylejman Vokshi dhe familja Deralla në organizimin politik e ushtarak të Lidhjes, duke theksuar njëherazi se fryma e saj sot e kësaj dite mbetet udhërrëfyese për shqiptarët në proceset integruese evropiane. Ai nënvizoi se mesazhi i Lidhjes për unitet, për vetëdije kombëtare dhe për organizim institucional edhe sot mbetet aktual, ndërsa bëri thirrje për një vizion të përbashkët kombëtar, të mbështetur në dije, në shkencë dhe në  përgjegjësi institucionale.

Një pjesë e veçantë e manifestimit iu kushtua albanologut të shquar Robert Elsie. Në referatin e tij, Prof. Xhelal Zejneli e cilësoi Elsien si “albanologun të cilin nuk duhet harruar” dhe si “njeriun që ia solli botës Shqipërinë”. Ai e paraqiti veprimtarinë e pasur shkencore të studiuesit kanadez-gjerman, autor i 60 librave dhe 90 studimeve shkencore për historinë, gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare. Profesor Zejneli e veçoi kontributin e Robert Elsie në promovimin ndërkombëtar të kulturës shqiptare nëpërmjet veprave monumentale si “Historia e letërsisë shqiptare”, “Fjalori historik i Shqipërisë”, “Fjalori historik i Kosovës”, “Leksiku i kulturës popullore shqiptare” dhe përkthimi në gjuhën angleze i kryeveprës së Gjergj Fishtës “Lahuta e Malcís”. Referuesi e vlerësoi Robert Elsien si një nga personalitetet më të rëndësishme të albanologjisë moderne, i cili me punën e tij të jashtëzakonshme e bëri kulturën shqiptare pjesë të botës akademike ndërkombëtare.

Në vazhdim të programit u ndanë çmimet tradicionale të Shoqatës “Tradita”. Çmimi kombëtar “Ali Vishko” për vitin 2026 iu nda Prof. Dr. Ejup Ajdinit për kontributin e tij në fushën e arsimit, të shkencës dhe të studimeve shqiptare, ndërsa çmimi “Selim Ramadani” iu nda Teatrit të Tetovës për kontributin e dhënë në zhvillimin e artit skenik dhe të kulturës shqiptare.

Arsyetimet për ndarjen e çmimeve të sipërthëna i paraqitën kryetarët e komisioneve përkatëse: Prof. Dr. Salajdin Salihi dhe aktorja Sheqerije Ilazi.

Manifestimi u përmbyll me një program artistik, ku poetet Nadire Ismaili-Salihu dhe Lola Shehi interpretuan krijime poetike, duke sjellë për të pranishmit frymëzim dhe emocione artistike.

Edicioni XIII i manifestimit kulturor “Lidhja na Bashkon” e riafirmoi rëndësinë e kujtesës historike, kulturës dhe dijes, si vlera që i bashkojnë shqiptarët, duke përcjellë mesazhin se idealet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit vazhdojnë të mbeten udhërrëfyes për të ardhmen.

Ky manifestim u mbështet nga: Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup; nga Komuna e Çashkës; nga Komuna e Bogovinës; nga Komuna e Strugës; nga Komuna e Gostivarit; nga Poliklinika dhe Laboratori LAOR; nga Bukëpjekësi Gerta; nga Kompania për zhvillimin e pasurive të paluajtshme Trim & Lum; nga Poliklinika Stomatologjike Apolon; nga Zgjimi Company, ndërkaq fotografitë i realizoi Dritan Abdiji.

Shoqata  “Tradita” shpreh mirënjohje dhe falënderime më të sinqerta për të gjithë sponsorët dhe mbështetësit, kontributi i të cilëve bëri të mundur realizimin me sukses të Edicionit XIII të manifestimit kulturor “Lidhja na Bashkon”.

Shkup, më 10.6.2026

 

Kryetar

i Shoqatës për Kulturë dhe Art “Tradita” – Tetovë

                                                                                                            Mr. Selam Sulejamni

 

 

Related Articles

Back to top button
Close
Close