
Vedat Muriqi po bëhet gati t’i japë lamtumirën Spanjës për t’u kthyer përsëri në Turqi, ku do të veshë fanellën e Fenerbahçes.
Akordi prej 15 milionë eurosh për futbollistin 32-vjeçar, ka bërë padyshim të lumtur Majorkën, e cila ka nevojë për të ardhura pas rënies nga kategoria për të rindërtuar grupin.
Por të lumtur janë edhe te Lacio.
Lazio asokohe ruajti të drejtën e 45% të vlerës së kartonit në shitjen e radhës të sulmuesit nga Majorka dhe tashmë do të përfitojë rreth 7 milionë euro nga ky transferim. Strategjia e ruajtjes së përqindjeve është bërë normalitet në futbollin e sotëm, ndërsa klubet shqiptare e mësuan shumë vonë këtë.
Shembulli më i mirë se si nuk duhet të veprosh edhe me përqindjet që të takojnë, ka ardhur pikërisht me Vedat Muriqin dhe ka lidhje me periudhën e tij në radhët e Teutës në Superiore.
Klubi durrsak, përveçse nuk vlerësoi siç duhej potencialin e tij dhe e dha edhe huazim te Besa, bëri një veprim shumë të pazakontë që e qan edhe sot e kësaj dite.
Në momentin kur ndërpreu marrëveshjen e bashkëpunimit me Muriqin pas vetëm një sezoni, durrsakët i dhanë atij një dokument nëpërmjet të cilit hiqnin dorë nga çdo lloj përfitimi të mundshëm financiar prej lojtarit, duke e lënë plotësisht të lirë.
Kësisoj, Teuta nuk ka përfituar asnjëherë nga transferimet e lojtarit, meqë kishte hequr dorë prej përfitimeve financiare që mund të siguronte nga ai sipas përllogaritjes së të drejtës së “edukimit” të futbollistit për të cilin, duke përfshirë edhe transferimin e fundit, janë paguar më shumë se 50 milionë euro për kalimin e tij nga një klub në tjetrin.



