LajmeMaqedoniTopLajm

BDI: Në kohën e BDI-së dygjuhësia dhe ligji respektoheshin, në kohën e VLEN-it shkelet Ligji për përdorimin e gjuhëve

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim të thellë për shkeljen flagrante të Ligjit për përdorimin e gjuhëve nga ana e Qeverisë pa legjitimitet etnik.

Rasti i djeshëm, ku Ministri i Shëndetësisë, z. Azir Aliu, promovoi një mbishkrim në kuadër të një departamenti të Institutit për Shëndet Publik vetëm në gjuhën maqedonase, është dëshmi e qartë e nëpërkëmbjes së gjuhës shqipe dhe e shkeljes me të dyja këmbët të ligjit në fuqi.

Për ironi, në të njëjtin institucion, gjatë kohës së qeverisjes së Bashkimit Demokratik për Integrim, mbishkrimet ishin vendosur në dy gjuhë, në përputhje me ligjin dhe me frymën e barazisë institucionale.

Përmes fotografive të bashkëngjitura, opinioni publik mund ta shohë qartë dallimin: si është tani nën këtë qeveri dhe si ishte në kohën kur BDI kujdesej për zbatimin e ligjit dhe respektimin e gjuhës shqipe në institucionet publike.

BDI rikujton se Ligji për përdorimin e gjuhëve është i qartë dhe detyrues: mbishkrimet në institucionet publike duhet të jenë edhe në gjuhën shqipe.

Prandaj pyesim publikisht: çfarë duhet të ndodhë më shumë që vazalët shqiptarë në Qeveri të ndalojnë duartrokitjet dhe të reagojnë? Sa herë duhet të shkelet gjuha shqipe që ata ta kuptojnë se heshtja e tyre është bashkëfajësi?

Bashkimi Demokratik për Integrim do të vazhdojë ta denoncojë çdo përpjekje për degradimin e të drejtave të shqiptarëve dhe çdo shkelje të ligjit që garanton barazinë gjuhësore në vend.

Related Articles

Back to top button
Close
Close