
Mbrojtësi i majtë i Chelseat, Marc Cucurella, ka vendosur si prioritet rikthimin te Barcelona, por është i vetëdijshëm se një transferim i tillë nuk mund të garantohet në këtë moment për shkak të planeve të merkatos së klubit katalanas.
Chelsea e vlerëson Cucurellën mes 40 dhe 50 milionë eurove. “Blutë” investuan 68 milionë euro për ta transferuar nga Brighton në vitin 2022 dhe synojnë të rikuperojnë një pjesë të konsiderueshme të kësaj shume.
Megjithatë, çdo lëvizje e Barcelonës varet nga e ardhmja e Alejandro Balde. Klubi katalanas duhet të krijojë hapësira në skuadër dhe në buxhet përpara se të ndërmarrë hapa konkretë për transferimin e Cucurellës.
Përveç Barcelonës, interes për mbrojtësin spanjoll kanë shfaqur edhe disa nga klubet më të mëdha të Europës. Manchester City, Manchester United, Atletico Madrid dhe Real Madrid kanë monitoruar situatën e tij gjatë muajve të fundit. Atletico konsiderohet si skuadra që ka treguar interesimin më konkret, ndërsa Bayern Munich është tërhequr nga gara.
Aktualisht, Cucurella është i fokusuar te Kupa e Botës dhe nuk ka ndërmend të marrë një vendim të menjëhershëm për të ardhmen. Ai është i gatshëm të presë Barcelonën deri në fund të merkatos, por vetëm nëse merr garanci të qarta nga drejtuesit katalanas.
Nga ana tjetër, Alejandro Balde, i cili ka kontratë me Barcelonën deri në vitin 2028, nuk po mendon për largimin. Megjithatë, fundi i sezonit nuk ishte ideal për të, pasi Joao Cancelo fitoi vendin e titullarit në krahun e majtë të mbrojtjes nën drejtimin e Hansi Flick.



