
“Sot u përmbyll me sukses edicioni i parë i Panairit Shqiptar të Librit – Shkup 2026, ngjarje që e shndërroi sheshin ‘Skënderbeu’ në pikëtakimin më të madh të autorëve, botuesve, lexuesve dhe dashamirëve të librit shqip.
Nën moton ‘Gjuha jonë, sa e mirë’, panairi mblodhi 55 shtëpi botuese nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria, duke sjellë mijëra tituj librash, promovime, diskutime letrare dhe aktivitete kulturore që treguan gjallërinë dhe fuqinë e kulturës sonë.
Në ceremoninë përmbyllëse u ndanë edhe çmimet për veprat dhe autorët më të spikatur. Çmimi për ‘Prozën më të Mirë’ iu nda Namik Dokle, për ‘Poezinë më të Mirë’ Resul Shabani, për ‘Përkthimin më të Mirë’ Ana Kove, për ‘Studimin më të Mirë’ Kujtim Shala, ndërsa çmimi për ‘Librin më të Mirë për Fëmijë’ iu nda Rovena Rrozhani. U nderuan gjithashtu me Çmimin e Karrierës Abdullah Zeneli dhe me Çmimin Special pas vdekjes Lindita Ahmeti.
Përmbyllja e këtij panairi shënon fillimin e një tradite të re kulturore për Shkupin dhe një hap të rëndësishëm në forcimin e kulturës së leximit, promovimin e librit shqip dhe krijimin e hapësirave të reja për dijen, kulturën dhe brezat e rinj.
Shkupi foli shqip përmes librit. Dhe ky është vetëm fillimi”, ka shkruar Mexhiti.



