LajmeMaqedoniTopLajm

BDI: Kadastra zbulon lidhje pronësore mes Visar Ganiut dhe Nedim Ramës

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) publikoi sot dokumente zyrtare nga Agjencia e Kadastrës që hapin dyshime serioze për marrëdhëniet pronësore dhe biznesore mes ish-kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, dhe drejtorit aktual të NOMAGAS-it, Nedim Rama, një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Izet Mexhitit.

Sipas të dhënave zyrtare të Kadastrës:

* Në Fletën Pronësore nr. 730, në Komunën Kadastrale Lisec-Vongrad, si bartës të së drejtës figurojnë Visar Ganiu dhe Nedim Rama.
* Të dy lidhen me parcelën 1/455, e regjistruar në të njëjtin lokalitet.
* Për të njëjtën parcelë është hapur edhe Fleta për Parashënim të Ndërtimit nr. 1213, ku si bartës i së drejtës figuron Visar Ganiu.
* Në këtë parcelë janë evidentuar shtatë objekte me destinim “A4-3 – shtëpi vikendi”.

Pra, nuk bëhet fjalë për një pronë të zakonshme, por për një kompleks prej disa objekteve vikendi të ndërlidhura me persona që deri dje menaxhonin pushtetin lokal, ndërsa sot drejtojnë institucione strategjike shtetërore.

Këto dokumente ngrenë pyetje legjitime që meritojnë përgjigje publike:

* Kur dhe si është krijuar kjo lidhje pronësore ndërmjet Visar Ganiut dhe Nedim Ramës?
* Me çfarë mjetesh financiare është realizuar ndërtimi i shtatë objekteve vikendi?
* A janë deklaruar këto prona dhe investime në fletët anketuese dhe deklarimet e pasurisë?
* A ekzistojnë marrëdhënie të tjera biznesore mes personave që sot kontrollojnë pozita të rëndësishme publike?

Kjo është çështje e origjinës së pasurisë, transparencës dhe konfliktit të mundshëm të interesit për persona që për vite të tëra kanë administruar buxhete publike dhe sot drejtojnë institucione me rëndësi strategjike për shtetin.

BDI u bën thirrje Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Policisë Financiare, Drejtorisë së të Hyrave Publike dhe Prokurorisë Publike që të hetojnë pa vonesë të gjitha rrethanat që lidhen me këtë pronësi të përbashkët dhe me ndërtimin e kompleksit të shtëpive vikendi.

Qytetarët meritojnë përgjigje për një pyetje të thjeshtë:

A fshihet pas partneritetit politik të VLEN-it edhe një partneritet privat dhe biznesor?

  

Related Articles

Back to top button
Close
Close