LajmeRajon

Rama me kritika ndaj Qeverisë për përvetësim meritash të një rruge në Prishtinë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar qeverinë në detyrë, duke e akuzuar për përvetësim të meritave lidhur me një projekt infrastrukture në kryeqytet.

Sipas tij, Ministria e Infrastrukturës, e drejtuar në detyrë nga Dimal Basha, ka promovuar si projekt qendror hapjen e një rruge lokale në Prishtinë, ndonëse, siç thotë Rama, bëhet fjalë për një investim që i takon Komunës dhe jo nivelit qendror.

“Bilanci i qeverisë Kurti pas 6 vjetëve: “Vadja e Lupçit” dhe shiritat e projekteve të Prishtinës! Ministri e paska prerë shiritin e një rruge lokale që është projekt, menaxhim dhe marrëdhënie kontraktuale mes Komunës së Prishtinës dhe operatorit ekonomik. Në mungesë të projekteve të veta, Qeveria ka zgjedhur të bëjë spektakël politik qesharak me një projekt që i takon Kryeqytetit, ndërsa Ministria është veç bashkëfinancuese dhe atë me një pjesëmarrje më të vogël se vetë Komuna. Financimi është si vijon: Komuna e Prishtinës: 1,650,000.00 €. Ministria: 1,500,000.00 € (të planifikuara për vitet 2024, 2025 dhe 2026). Pra, kryeqyteti është investitori dhe përgjegjësi kryesor i këtij projekti”, shkroi Rama.

Ai njëherësh potencoi se kontrata dhe përgjegjësia e realizimit të projektit mbeten te Komuna e Prishtinës, ndërsa ka ironizuar me, siç i quajti ai, “prerje shiritash” për projekte komunale nga përfaqësues të qeverisë.

“Madje, deri më tani Ministria ka realizuar vetëm rreth 600,000.00 € pagesa për vitet 2024-25, ndërsa për vitin 2026 nuk ka paguar ende ASNJË euro. Bashkëngjitur i keni faktet: kontrata është e Komunës, investitori kryesor është Komuna dhe përgjegjësia për realizimin e projektit i takon Komunës së Prishtinës. Pas gjashtë vitesh pushtet, kur bilanci i “veprave kapitale” vazhdon të identifikohet me “vadën e Lupçit”, nuk është çudi që kanë zbrit në Prishtinë për të prerë shiritat e projekteve komunale.Të dashur ministra, nëse keni kaq shumë kureshtje dhe qejf me pa qysh është me pre shirita, veç kallxoni! Ju thërrasim”, shkroi Rama./Klankosova.tv

Related Articles

Back to top button
Close
Close