
Mediat greke vijojnë t’i kushtojnë vëmendje të madhe investimit në Zvërnec, duke i shfrytëzuar edhe hapësirë në edicionin e lajmeve, që konsiderohet ‘orë e shtrenjtë’.
Gazetari Ilia Papanikolau thotë se ishujt e Kefalonisë apo Korfuzi nuk duhet të jenë aspak të kënaqur me këtë investim, pasi do të marrë turistët që deri tani zgjedhin këto vende.
“Bëhet fjalë për dy milionë e gjysmë metra katrorë. Për ta kuptuar, 150 herë sa Kopshti Kombëtar (në Greqi). Flitet për zonën e Zvërnecit dhe Pishë Poros, të cilat janë një bukuri unike natyrore për këdo që i ka vizituar.
Investimi do të tejkalojë 4 miliardë dollarë. E kuptoni se çfarë do të thotë kjo për ekonominë shqiptare dhe po ashtu se çfarë do të thotë për turizmin grek nga ana tjetër, sidomos në ishujt e Jonit?. Qëllimi është që të kenë zhvillim të turizmit elitar, Korfuzi dhe Kefalonia nuk duhet të jenë shumë të kënaqura nga ky zhvillim”, shprehet gazetari.
“Kur Rama del në foto me Kushner, me Ivanka Trump, dhe kur kjo e fundit del në mediat amerikane dhe flet sesa investim i rëndësishëm është ky në Shqipëri, tregon sesa shumë është ngritur gjeopolitikisht vendi, me çfarëdo të nënkuptojë dhe të sjellë kjo, në raport me vendin tonë dhe Turqinë”, shton ai më tej.



