
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka shprehur ngushëllimet e tij të sinqerta për ndarjen nga jeta të Rexhep Metës, babait të ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.
Në mesazhin e tij të ngushëllimit, Ahmeti theksoi se e mori me pikëllim të thellë lajmin për humbjen e Rexhep Metës, duke vlerësuar se ndarja nga jeta e një prindi përbën një nga dhimbjet më të mëdha që mund të përjetojë njeriu, shkruan Top24
Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Rexhep Metës, babait të ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta.
Në këto momente zie dhe dhimbjeje për familjen Meta, dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta e më të ndjera. Humbja e prindit është një nga sprovat më të rënda të jetës, një dhimbje që lë gjurmë të pashlyeshme në zemrën e çdo njeriu.
Lutem që familja dhe të afërmit të gjejnë forcën, durimin dhe besimin për ta përballuar këtë humbje të madhe, ndërsa kujtimi dhe vlerat që i ndjeri la pas të mbeten përherë burim frymëzimi e krenarie për brezat që vijnë.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij.




