
Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, ka kritikuar Qeverinë për, sipas tij, mosrealizimin e premtimeve të dhëna gjatë mandatit.
Tahiri tha se shumë prej zotimeve të bëra nuk janë përmbushur, duke përmendur ndërtimin e çerdheve si një nga premtimet që, sipas tij, nuk ka marrë epilog edhe pas pesë vjetësh.
“Bazuar në premtimet me të cilat i kanë marrë votat, ku janë çerdhet? Për pesë vjet, a ka ndodhur? Kjo logjikë është problematike për funksionimin e një shteti si Zvicra, lëre më këtu”, u shpreh ai.
Duke folur për pagën e 13-të, Tahiri tha se 63 milionë euro do të mund të investoheshin në sektorë që, sipas tij, do të kishin ndikim më të madh në zhvillimin ekonomik.
“A e dini çfarë do të bëhej me 63 milionë euro? Të investoheshin te fermerët, te serrat, te bizneset e vogla. Pse duhet t’u jepet paga e 13-të, kur ende kemi sfida me pagën minimale?”, deklaroi ai.
Ndër të tjera, Tahiri iu drejtua qytetarëve të Kosovës, duke kërkuar nga ata që të reflektojnë.
“Unë çka i them qytetarëve të Kosovës, është reflektoni. Nuk jam duke folur as për inati e as kjo çka flas nuk është ndonjë votë. Kjo është shqetësim i imi dhe i secilit politikan normal që lyp besim”, shtoi ai. /Klankosova.tv



