
Zëvendësministreja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri ishte paneliste në Konferencën e IV Rajonale në Prishtinë, e organizuar nga Aleanca Kombëtare e Këshilltareve Bashkiake të Shqipërisë (AKKB), e udhëhequr nga kryetarja znj. Alta Azizi Haluci, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe Kryetarin z. Përparim Rama, shkruan Top24
Në kuadër të Panelit “Lidershipi politik i grave shqiptare në vendimmarrje”, Zekolli Shaqiri ndau përvojën e saj lidhur me rolin dhe sfidat e grave shqiptare në politikë, veçanërisht në nivel shtetëror dhe ekzekutiv.
“Mes shumë grave të respektuara, mikeve dhe kolegeve nga të gjitha trojet shqiptare, patëm mundësinë të diskutojmë mbi rëndësinë e përfaqësimit dinjitoz të grave në politikë, fuqizimin e rolit të tyre në proceset vendimmarrëse, ndërtimin e lidershipit të bazuar në vlera dhe integritet, si dhe perspektivën evropiane të grave shqiptare në jetën publike dhe institucionale.
Kjo konferencë ishte një dëshmi e qartë se gratë shqiptare sot janë faktor i rëndësishëm në zhvillimin politik, institucional dhe shoqëror, dhe se përmes bashkëpunimit, rrjetëzimit dhe mbështetjes së ndërsjellë mund të ndërtojmë institucione më të forta dhe shoqëri më të barabarta.” tha Kaltrina Zekolli Shaqiri.



