
Këngëtarja e njohur Soni Malaj ka ndarë me banorët dhe publikun e “Ferma VIP” një nga periudhat më të vështira dhe më të trishta të jetës së saj, duke u kthyer pas në kohë në fëmijërinë e hershme.
Ajo ka rrëfyer sakrificat e mëdha dhe betejën shëndetësore me një sëmundje që ia bëri të pamundur ecjen në një moshë fare të vogël.
Soni tregoi se kur ishte në shkollën fillore, rreth moshës 7 apo 8-vjeçare, u përball me një krizë të rëndë shëndetësore.
“Ka qenë një reumatizëm i shkallës së lartë, arsyen se pse nuk e di,” u shpreh ajo, duke kujtuar se në atë kohë ndodhej në Tropojë dhe dhimbjet ishin aq të mëdha sa nuk arrinte dot të hidhte asnjë hap.
Gjatë një fundjave që familja kishte zgjedhur të kalonte në Valbonë, asaj i sugjeruan t’i fuste këmbët në ujë të ftohtë. Ky veprim rezultoi fatal për momentin, pasi Soni u paralizua sërish menjëherë.
Për shkak të pamundësisë për të ecur, ata detyroheshin ta mbanin në krahë (hopa) për çdo lëvizje, qoftë edhe për ta dërguar te shoqet e klasës për të shkruar detyrat dhe për të mësuar së bashku.




